Çaste poetike me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI

Kur shtëpia lë plagë, shkolla mban peshën
————————————————–
Arsimi s’nis me zile, as me një fletë të bardhë në dorë,
lind në një përqafim, në një “të dua” që rritet çdo orë.
Në shtëpinë ku fëmija mëson të ndjejë pa frikë,
ngrihet themeli i jetës që nesër do bëhet rrugë me dritë.
Nxënësi s’është thjesht emër, as numër në radhë të gjatë,
është zemër që rritet në duar, që kërkon veç dashuri e fat.
Dy prindër që qëndrojnë bashkë, si hije që s’ndahen në dritë,
janë forca që mban një fëmijë të mos humbasë në çdo ditë.
Kur shtëpia mbushet me zëra, me fjalë që plagë shkaktojnë,
fëmija hesht e i fsheh në shpirt, si re të rënda që rëndojnë.
Edhe kur njëri mungon, ndonëse është diku pranë,
shpirti i tij ndjen boshllëkun që s’e mbush dot asnjë anë.
Ka fëmijë që vijnë në klasë me çanta më të rënda se libra,
me brenga që s’i sheh askush, por ua ndiejnë zemrat e dlira.
Nga shtëpi që s’u dhanë qetësi, por plagë që s’gjejnë shërim,
ata kërkojnë në heshtje pak dritë, pak ngrohtësi, pak mirëkuptim.
Dhe mësuesi qëndron aty, më shumë se një zë që mëson,
bëhet një dritë e vogël për shpirtin që rrugën kërkon.
Me fjalë të buta e durim, mbush boshllëqet ngadalë,
aty ku mungon një përqafim, ai jep një shpresë të rrallë.
Edhe pse mbart hallet e tij, që jeta ia fal pa kursim,
i lë jashtë derës së klasës, për t’u dhënë fëmijëve shpirt e besim.
Se e di që një buzëqeshje mund të shërojë një plagë,
dhe një fjalë e mirë mund të bëhet për fëmijën një prag.
Dhimbja më e madhe është për një sy që s’di të gëzojë,
për fëmijën që rritet me brenga e askush s’mund t’i durojë.
Dhe prapë vazhdon të japë, pa u ndalur, pa u thyer në mes,
se beson që drita e vogël mund të bëhet një jetë me shpresë.
Ndaj, prindër, jini pranë, mos e lini në mungesë dashurinë,
se fëmija rritet me zemër, jo vetëm me bukë për të shuar urinë.
Bashkëpunoni me mësuesin, jo si rrugë që largohen pa kthim,
por si duar që bashkohen për fëmijën dhe edukim.
Kur prindi, mësuesi dhe nxënësi ecin në një drejtim,
rruga bëhet më e lehtë, dhe jeta merr më shumë kuptim.
Arsimi nuk është vetëm dije që shkruhet në një fletë,
është dashuri që rrit njeriun dhe i jep jetës vlerë të vërtetë.
Qëndroni pranë arsimtarit, me besim e mirësi,
se fëmija çel më bukur kur rritet në harmoni.
Ecni krah mësuesit, si dy brigje që lidh një urë,
që fëmija të rritet i sigurt, me dije, dashuri e nurë.
/QendraPress/