Çaste poetike me poeten;-Naxhije DOÇI

FJALA E JEHUT TË MIRË

——————————

Me shenjtërinë e bekuar si uverturë,

fjala e jehut te mirë

ndërton ura jehu edhe mbi gur,

shpresat për diellin e lirisë

kalitur në flamur.

Stinëve me trazime konfliktuoze,

kur përplasen perandoritë

me rrotullime të sëmura

e temperatura përvëluese

fjala e jehut të mirë

flakërimë me dehje zgjimi

në mundje të pakohësisë së stisur

me iluzione të gabuara,

entuziazëm flakërues që godet

për të vërtetën e nëpërkëmbur

nëpër shkrepa të thepisur.

Si gjithëherë nëpër motet që shkuan

si edhe ecurisë galaktike në evolim,

vazhdimësi e përtërirë

harkut të pamposhtur krahështrirë,

fjala e jehut të mirë

rrjedhojë hirësie që shton dashurinë,

mjaltë në hoje, rrëzëllimë e gufuar

që frymëzon kujtesen e brezave

për madhështinë e rrënjës së trashëguar.

/QendraPress/