Çaste poetike me poeten;-Nexha REÇICA

KALAJA QË NUK E RRËZON KOHA

——————————————

Lërmë të të dua

edhe përtej largësisë.

Nga çdo heshtje mes nesh

do të nxjerr një gur

dhe gur mbi gur

do të ngre për ty një kala.

Themelet do t’i vendos

aty ku zemra ime

e ka fshehur emrin tënd.

Muret do t’i ngre

me netët që s’kanë fjetur,

me fjalët që nuk u thanë,

me pritjet që nuk u lodhën.

Portën do ta lë hapur

vetëm për ty.

Asnjë çelës tjetër

nuk do ta njohë.

Në kullat e saj

do të ndez dritat

që të mos humbasësh

edhe kur nata

të mbulojë çdo udhë.

E nëse koha

vjen me duar të rënda

për t’i rrëzuar muret,

do të gjejë

vetëm gurë më të thellë.

Sepse këtë kala

nuk e ndërtoj me duar.

E ndërtoj me atë pjesë të shpirtit

që nuk di të dorëzohet.

Dhe kur një ditë

çdo gjë tjetër të bjerë,

ajo do të qëndrojë—

jo si një kala mbi tokë,

por si një emër

i gdhendur në gur

që as koha

nuk di ta fshijë.

/QendraPress/