Çaste poetike me poeten ;-Rudina Muharremi BEJA

Screenshot

MË PAS…

————————-

Minutat e lamtumirës

do të jenë të shkurtra për të gjithë.

Një hije e ftohtë

do të ulet mbi fytyrat tona,

si muzgu mbi një dritare

pas së cilës nuk na pret më askush.

Dhe atëherë do të kuptojmë

se, si shumë të tjerë,

kemi banuar në kohë

me mure që nuk na përkisnin,

duke harruar se ishim vetëm

qiramarrës të këqij të përjetësisë.

Le të qajnë

ata që na deshën vërtet,

sa fryma jonë ishte ende

e ngrohtë mbi tokë.

E ata që s’na deshën,

ata që e shitën shpirtin

për një vend në tryezën e djallit,

le t’i kursejnë fjalët

dhe kurorat prej lulesh të rreme.

Atje ku shkojmë,

çdo gënjeshtër e humbet zërin,

çdo maskë bie,

dhe çdo fjalë

që nuk u tha kur ishim gjallë,

vjen tepër vonë.

Më pas…

mbetet vetëm dheu,

i heshtur dhe i drejtë,

që nuk njeh lajka.

Dhe qielli,

që nuk mashtrohet.

/QendraPresss/