Fryma poetike e së dielës me poeten;- Marigona KELMENDI

Rrugëtim

——————–

Të kam thënë

Sa herë kam heshtur

Shumëherë dhe klithur

Pa e ditur Babë

Nëse kam pasur të drejtë

Në padrejtësinë time

Të brishtë

Qesh fëmijë

Babë e çfarë s’të thoja

Ti i qetë

Si tymi që ngjitej oxhakut

Drejt pafundësisë qiellore

Qeshje e gëzoheshe

Me rritën time

Kurrë fshehur s’e ke

Ti Babë Ti

Zemra ime e madhe

Që rrihje për ëndrrat e mia

Ti heroi im i heshtur

Fryma ime e jetës

Që më mësove të mos ndalem

Të mos thoja kurrë

U lodha

Babë o Babë

Ti si Ti

Më flisje me urtinë e pragut

Që nuk e kalon kurrë i huaji

Jo nuk kam guxim

T’i kthehem gurit dheut kroit

Që tok me mua

Të kanë mall dhe Ty

Babë edhe heshtja flet shumë

Si sonte që pikë gjumi nuk kam

Folmë pak për ne

Ta dish

Jemi aty ku doje

Ku dhe ti ëndërroje

Kanë kaluar vite

Po ti

Vetëm Ti

Babë

Sot

Më mungon

Rrugëtimit tim

Dritës së syve Tu

A nuk më thoje

Përherë

/QendraPress/