Hapet ChilliFestë në Krushë të Madhe, në fokus promovimi i perimekulturës.

                          Në Krushë të Madhe është hapur zyrtarisht edicioni i sivjetmë i festivalit të perimekulturës “ChilliFestë”, i cili për tri ditë do të sjellë aktivitete të ndryshme kulturore, bujqësore, gastronomike dhe muzikore.

Në hapjen e festivalit morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, bujq, miq dhe bashkëpunëtorë. Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se festivali është bërë një ngjarje e rëndësishme për bujqit e Krushës së Madhe, Rahovecit dhe më gjerë, ndërsa zhvillohet në kuadër të muajit të mërgimtarëve.

“Ky festival, që i dedikohet perimekulturës, është bërë shumë i rëndësishëm për të gjithë bujqit në Krushë të Madhe, Rahovec, por edhe më gjerë, i cili mbahet në kuadër të muajit të mërgimtarëve”, ka theksuar Latifi, raporton PrizrenPress.

Ai ka vlerësuar festivalin si një mundësi të mirë për promovimin e kultivimit të perimeve dhe punës së bujqve.

“’ChilliFestë’ është bërë një prej mënyrave më të mira për ta promovuar kultivimin e perimeve. Pra, bujqësia për rahovecasit është kulturë dhe mënyrë jetese”, ka deklaruar Latifi.

“ChilliFestë” do të vazhdojë me aktivitete të ndryshme, përfshirë panairin “Agro Tregu”, Sofrën Krushiane, gara tradicionale, demonstrime gastronomike, aktivitete mjedisore dhe programe muzikore.

Në kuadër të festivalit janë paraparë edhe gara në mbushjen e thasëve me speca, përgatitjen e ajvarit dhe turshive, ngrënien e specave djegës, si dhe aktivitete të tjera që promovojnë traditën dhe prodhimet vendore.

Festivali “ChilliFestë” mbahet më 7, 8 dhe 9 gusht në Krushë të Madhe, me moton “Ditë e Gzueme!”