NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR DISLOKIMIN E REZERVUARIT TË UJIT NË KALANË E PRIZRENIT.

Sot u nënshkrua marrëveshja tripalëshe ndërmjet KRU “Hidroregjioni Jugor” SH.A, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për implementimin e projektit “Dislokimi i rezervuarit të ujit në Kalanë e Prizrenit”.

Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeshefi Ekzekutiv z. Bekim Gashi, Ministrja e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj. Saranda Bogujevci.

Ky projekt është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike të Kalasë së Prizrenit, duke marrë parasysh problematikat e evidentuara më herët nga rrjedhjet dhe infrastruktura ekzistuese e rezervuarit.

Përveç aspektit të ruajtjes së monumentit, projekti do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes për lagjet Nënkalaja, Kurilla, pjesë të Tususit si dhe zonën e Spitalit, duke rritur sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Rezervuari aktual ka kapacitet prej 480 m³ ndërsa rezervuari i ri që do të ndërtohet do të ketë kapacitet prej 1000 m³.

Vlera e projektit parashihet të jetë rreth 450 mijë euro, ndërsa realizimi i tij pritet të përfundojë brenda këtij viti.

KRU “Hidroregjioni Jugor” SH.A mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që përmirësojnë shërbimet ndaj konsumatorëve dhe njëkohësisht ruajnë vlerat historike e kulturore të qytetit tonë.