REPORTAZH/NGA MORINA E 1999-ËS TEK MALISHEVA E 2026-ËS/Shkruan;-Nexhbedin BASHA

                               Dy ditë në Malishevë: dikur “mollë e ndaluar”, sot një vend takimesh, kujtese, kulture dhe debati

 Ky nuk është një shkrim vetëm për Kongresin.

Është një rrëfim për një udhëtim dyditor në Malishevë; për rrugën që na çoi atje, për njerëzit që takuam, për historinë që na doli përpara në çdo hap, për përjetimet, përshtypjet dhe bisedat që morën me vete një pjesë të këtyre dy ditëve.

Është një rrëfim edhe për ato çaste të vogla, ndonjëherë të paplanifikuara, që ndodhin mes një ndalese dhe tjetrës, mes një bisede dhe një takimi, dhe që, pa e kuptuar, bëhen pjesë e kujtesës.

Kongresi ishte arsyeja e udhëtimit. Por Malisheva ishte shumë më tepër se salla ku u zhvilluan punimet.

Ky është rrëfimi i atyre dy ditëve.

NGA MORINA E 1999-ËS TEK MALISHEVA E 2026-ËS

Ishte hera e dytë që kaloja drejt Kosovës.

Hera e parë ka qenë në vitin 1999, në Morinë, në ditët kur KFOR-i po hynte në Kosovë. Ndodhesha rastësisht në Kukës, me shërbim si gazetar i shtypit ushtarak dhe pata fatin të përjetoja nga afër një nga ato momente që nuk harrohen.

Më 12 qershor 1999, elementët e parë të KFOR-it hynë në Kosovë, pas tërheqjes së forcave serbe dhe vendosjes së pranisë ndërkombëtare të sigurisë.

Nga Kukësi shihja kolonat e mjeteve ushtarake që lëviznin drejt Morinës. Rruga ishte mbushur me njerëz. Qëndronin në të dyja anët, bënin shenjën e fitores dhe përshëndesnin me flamujt kombëtarë shqiptarë, amerikanë e europianë.

Për ne, në ato çaste, dukej sikur po shembej një mur që kishte ndarë shqiptarët për dekada.

Prandaj, më vonë, në revistën “Mbrojtja”, botova shkrimin me titull:

“Në Morinë, ditën kur binte muri shqiptar i Berlinit”, një përjetim i 12 qershorit 1999.

Në atë periudhë, ndërsa shihja eksodin e madh të refugjatëve kosovarë, shkrova edhe një tjetër artikull me titull:

“Millosheviçi e ka të humbur Kosovën”.

Ishte një bindje që buronte nga ajo që po shihja e dëgjoja në Kukës, nga dëshmitë e njerëzve që ishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe, mbi të gjitha, nga besimi i tyre i palëkundur se një ditë do të ktheheshin në vendin e tyre.

Kjo bindje forcohej edhe nga analizat dhe vlerësimet që vinin nga qarqe akademike e institucionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani, në Itali dhe në vende të tjera perëndimore. Në atë kohë, kthimi i refugjatëve në Kosovë nuk shihej si një dëshirë e largët, por si një nga sfidat kryesore të zgjidhjes së krizës. Edhe zhvillimet në terren do ta konfirmonin këtë: pas përfundimit të luftës, qindra mijëra kosovarë nisën të ktheheshin me shpejtësi në shtëpitë e tyre.

Në reportazhet e mia të asaj kohe kam përcjellë dëshmi të dhimbshme të njerëzve që kishin humbur kontaktet me familjarët e tyre, të atyre që kishin djem në radhët e UÇK-së dhe nuk dinin nëse ishin gjallë apo kishin rënë për lirinë e Kosovës.

Një prej tyre ishte Qazim Malushi, nga Skifjani i Gjakovës. Më tregonte se kishte gjashtë djem në radhët e UÇK-së dhe nuk dinte çfarë kishte ndodhur me ta.

“Nëse janë gjallë, gëzimi i babës nuk ka të sosur. Nëse ndonjëri ka vdekur, ia bëj hallall se ra për lirinë e Kosovës.”

Këto nuk ishin histori të lexuara në libra. I kisha përballë. I dëgjoja nga goja e njerëzve. I shihja në sytë e tyre.

Prandaj, kur sot udhëtoj drejt Kosovës, nuk mund ta shoh rrugën vetëm si një rrugë që të çon nga Shqipëria në Kosovë.

Për mua ajo rrugë ka kujtesë.

Ka 1999-ën.

Ka Morinën, kur KFOR-i hyri në Kosovë. Ka refugjatët, të cilët në shkrimet e mia i kam quajtur ashtu siç i ndieja: vëllezërit tanë të dëbuar me dhunë nga Kosova.

Ka kthimin. Ka shpresën.

Ka edhe 17 shkurtin e vitit 2008, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Më kujtohet edhe familja ime në Shimçan, Dibër, familja e motrës në Peshkopi, që strehuan gra dhe fëmijë të ardhur nga Klina e Mitrovica. Ato ditë nuk janë vetëm pjesë e historisë së Kosovës; janë bërë pjesë e kujtesës sime familjare.

Më kujtohen edhe trupat e KFOR-it kur hynë në kolonë përmes pikës kufitare të Morinës, në atë zonë kufitare, ku për ne kishte qenë për vite “Muri i Berlinit” mes Shqipërisë dhe Kosovës. Por atë ditë, ai mur ra.

Në të dyja anët e rrugës qëndronin njerëz me sytë që u shkëlqenin nga gëzimi. Mbanin në duar flamurin kombëtar shqiptar, flamurin amerikan dhe flamujt e vendeve të Bashkimit Evropian. I puthnin, i ngrinin lart dhe i tundnin si simbole të lirisë së shumëpritur.

Nga turma dëgjoheshin thirrjet:

“Rroftë Amerika!”

“Erdhi liria!”

“Liri, demokraci!”

Ishte një nga ato pamje që nuk harrohen lehtë. Në ato çaste, Morina nuk ishte më thjesht një pikë kufitare. Aty dukej sikur po hapej një portë e një jete të re në liri.

Sot, pas kaq vitesh, po shkoja sërish drejt Kosovës, por në një tjetër kohë, në një tjetër realitet dhe me një tjetër ndjesi, për të marrë pjesë si një ndër organizatorët në një kongres për gjuhën, historinë dhe letërsinë shqipe.

Rrugët tashmë kalohen lirisht. Njerëzit lëvizin këndej e matanë kufirit. Qytetet kanë ndryshuar.

Muri shqiptar i Berlinit nuk ekziston më.

Dhe kështu, nga Morina e vitit 1999, kujtesa ime po më çonte drejt Malishevës së vitit 2026.

Por këtë herë rrugën do ta përshkoja ndryshe.

Jo vetëm me kujtimet e së kaluarës, por me sytë e një udhëtari që po shihte nga afër një Kosovë tjetër.

RRUGA E KOMBIT – URË LIDHËSE SHQIPËRI – KOSOVË

Delegatët e Kongresit për Gjuhën, Historinë dhe Letërsinë Shqipe u nisën nga Tirana rreth orës 10:00, më 19 shtator 2026, nga Terminali Verilindor.

Ishte autobusi i Agjencisë “Meta”. Shoferi, një djalë i ri nga

Tirana, e kishte kuptuar se ky nuk do të ishte thjesht një udhëtim. Që në nisje, muzika patriotike e ktheu rrugën në një atmosferë feste.

Këngët nga Veriu, Jugu dhe Shqipëria e Mesme; këngët për UÇK-në, dëshmorët dhe të rënët; për flamurin kuqezi e xhamadanin, por edhe këngët popullore e të dashurisë, i dhanë udhëtimit një ngjyrë të veçantë.

Brenda autobusit kishte biseda, të qeshura, këngë dhe duartrokitje.

Rruga na çonte drejt Malishevës, ndërsa kënga na e kishte kthyer autobusin në një sofër të vogël shqiptare, ku Veriu, Jugu, Shqipëria e Mesme dhe Kosova takoheshin në të njëjtin zë.

Sa më shumë i afroheshim Kukësit, aq më shumë ndryshonte peizazhi. Malet, rrugët e përthyera dhe pamjet që shoqërojnë Rrugën e Kombit na tregonin se po i afroheshim kufirit.

Autobusi vazhdonte përpara. Muzika alternohej me bisedat dhe, pas pak, u shfaq Kukësi.

Për mua, Kukësi nuk mund të ishte thjesht një qytet kalimi. Aty kishte mbetur një pjesë e historisë sime si gazetar dhe, bashkë me të, edhe një pjesë e historisë së Kosovës.

Nga Kukësi vazhduam drejt Morinës.

Edhe kjo rrugë kishte kujtesën e saj.

Në vitin 1999, në kuadër të situatës së luftës në Kosovë, trupa të Ushtrisë Shqiptare, komando dhe forca speciale ishin dislokuar në zona të ndryshme të veriut, ndërsa në Morinë dhe në zonën përreth ishin vendosur edhe mjete e sisteme komunikimi.

Në atë kohë, një detaj i veçantë më kishte tërhequr vëmendjen si gazetar. Në ditarin e shefit të ndërlidhjes së batalionit të tankeve në Zall-Herr, kapiten Ferdinand Rama, ishte shënuar një ngjarje që lidhej me situatën e krijuar në atë zonë: në afërsi të rajonit ku ishin përqendruar efektivat e tankeve kishin rënë predha të artilerisë serbe, ndërsa valët e radiove serbe kishin tentuar të depërtonin në komunikimet tona.

Ishte një tjetër dimension i asaj lufte, më pak i dukshëm, por jo më pak domethënës.

Prej atij materiali shkrova atëherë reportazhin me titull:

“Lufta elektronike dhe predhat serbe…”

Sot, pas kaq vitesh, po e përshkoja sërish atë zonë.

Por këtë herë gjithçka ishte ndryshe.

Asnjë alarm. Asnjë tension. Vetëm lëvizja e zakonshme e njerëzve dhe mjeteve, një rrugë që të çonte drejt kufirit dhe një kujtim që vinte pas meje.

Para doganës ndaluam për mëngjes në restorantin “Dardania” Një ndalesë e shkurtër. Një kafe, pak ushqim dhe përsëri në rrugë.

Kalimi kufitar shkoi pa probleme.

Dhe kështu, pa ceremoni e pa pengesa, lamë pas Shqipërinë dhe hymë në Kosovë.

Këtë herë, kufiri nuk ishte më një mur.

Ishte vetëm një vijë që kaluam.

Nga Morina hymë në Autostradën “Ibrahim Rugova” dhe vazhduam në drejtim të Prizrenit, pa hyrë në qytet. Rruga vijonte drejt Suharekës dhe më pas drejt Malishevës.

Tashmë kishim lënë pas terrenin malor të Rrugës së Kombit. Përpara nesh hapej një tjetër peizazh: hapësira më të gjera dhe kodrina të buta, të shtrira njëra pas tjetrës, si valë të qeta mbi tokën e Kosovës.

Gjatë rrugës më tërhoqën vëmendjen hapësirat e mëdha të tokës në të dyja anët e autostradës. Shumë prej tyre dukej se ishin ende të pashfrytëzuara. Toka të gjera, që të jepnin përshtypjen e një vendi me potencial të madh zhvillimi.

Edhe ndërtimeve që shihje përgjatë rrugës u kushtova vëmendje. Biznese, bujtina, ndërtesa të reja… shumë prej tyre nuk dukej se ishin bërë vetëm për të sotmen.

Kishte një ide për të ardhmen.

Dhe, teksa autobusi vazhdonte drejt Malishevës, mendimi më erdhi natyrshëm:

Po ndërtohej për të nesërmen.

SA DI UNË PËR MALISHEVËN?

Dhe tani, të gjithë ishim aty, në Malishevë.

Pikërisht në atë çast, kur u akomoduam në qytet, më erdhën ndërmend disa copëza të kumtesës që do të mbaja në Kongres. I bëra vetes një pyetje të thjeshtë:

Sa di unë për Malishevën?

Sa më shumë kisha kërkuar gjatë përgatitjes, aq më shumë kuptoja se Malisheva nuk ishte thjesht një qytet ku do të zhvillohej një Kongres. Ishte një trevë me rrënjë dhe gjurmë të lashta, me histori, me plagë dhe me dëshmorë.

Në kujtesën e Malishevës mbeten emra dëshmorësh si Hamdi Berisha, Tahir Sinani, Gani Paçarizi, Ramadan Morina, Sadik Shala, Habib Berisha, Liman Gegaj, Afrim Krasniqi, Ruzhdi Gjyliqi, por edhe shumë të tjerë që dhanë jetën në vitet e luftës.

Një emër tjetër më erdhi natyrshëm në mendje pikërisht përpara Shtëpisë së Kulturës “Tahir Sinani”.

Vetë emri i këtij institucioni të çonte te historia e një luftëtari që u bë pjesë e disa prej përpjekjeve të armatosura shqiptare për liri.

Tahir Sinani, oficer i Ushtrisë së Shqipërisë dhe komandant i

Zonës Operative të Pashtrikut gjatë luftës në Kosovë, mbeti një prej figurave të kujtesës së luftës. Më pas mori pjesë edhe në luftimet në Luginën e Preshevës dhe në vitin 2001 në Maqedoni, ku u vra më 29 korrik 2001, gjatë konfliktit të armatosur, në vendin e quajtur Zabeli i Kukulit, në zonën e Gostivarit, pranë Tanushës dhe malit Korab.

Ai ra bashkë me katër bashkëluftëtarë: Hyrë Emini, Brahim Ademi, Naser Ademi dhe Isa Fazliu.

Mendimi më shkoi më tej, te Prekazi dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari, te familja Jashari dhe te sakrifica e atyre që ranë në luftën e Kosovës.

Pastaj te Jashar Sherif Krasniqi, mësuesi nga Tërpeza e Ulët, Malishevë, i vrarë më 28 korrik 1998. Një mësues që vazhdoi misionin e tij edhe në ditët kur shkolla shqipe ishte pjesë e qëndresës.

Emrat nisën të lidhnin njëri-tjetrin në kujtesën time.

Kështu, një udhëtim nëpër rrugët e Malishevës po më shndërrohej, dalëngadalë, në një udhëtim nëpër kujtesën e luftës.

Dhe atëherë kuptova se pyetja “Sa di unë për Malishevën?” nuk ishte vetëm një pyetje për historinë e këtij qyteti.

Ishte një pyetje për veten.

Sepse kisha ardhur këtu jo vetëm për të folur.

Kisha ardhur edhe për të dëgjuar.

Dhe, siç do të thosha pak më vonë në kumtesën time:

“Kam ardhur të dëgjoj rrënjët.”

Por ato rrënjë kishin nisur të më flisnin që në ditën e parë.

MALISHEVA – NJË QYTET QË PO NDRYSHON

Kur hymë në Malishevë, pamja e parë nuk ishte ajo e një qyteti të sistemuar plotësisht. Ndërtimet e shumta, rrugët që dukej se ishin ende në proces dhe lëvizjet e njerëzve e mjeteve krijonin një lloj kaosi urban, që ta vështirësonte edhe orientimin.

Një kantier i madh, ku e reja po kërkonte ende vendin e vet.

Por, pas kësaj pamjeje të parë, dukej qartë edhe një tjetër realitet: ndërtohej shumë.

Biznese të reja, ndërtesa banimi, lokale dhe objekte të tjera po i jepnin qytetit një ritëm të shpejtë zhvillimi. Gjurmët e së resë shfaqeshin kudo, edhe aty ku ende nuk ishte vendosur rregulli përfundimtar.

Malisheva dukej sikur po kalonte nga një pamje në tjetrën.

Ndoshta ajo që shihnim nuk ishte ende një qytet i përfunduar, por një qytet në proces të ndryshimit.

Një qytet që po ndërtohej ndërsa jetonte, lëvizte dhe kërkonte formën e vet.

Dhe kjo të krijonte përshtypjen se, në një të ardhme jo të largët, Malisheva do të kishte një tjetër pamje urbane, me më shumë infrastrukturë, më shumë hapësira të sistemuara dhe një profil më të qartë si qytet modern.

FLAMUJT QË FLASIN PA FJALË

Nëpër rrugët e Malishevës më ranë në sy edhe shumë flamuj të UÇK-së, të vendosur në shtylla, mbi banesa dhe në fasadat e disa bizneseve.

Nuk i pashë thjesht si flamuj. Për mua, ata ishin një shenjë e dukshme e një historie që kjo trevë e ka jetuar drejtpërdrejt dhe që vazhdon ta mbajë të pranishme në hapësirat e saj.

Pamja më çoi te ditët e luftës, te betejat e UÇK-së në Llapushë, në Grykën e Llapushnikut, te Koshareja dhe në shumë vatra të tjera ku ranë bij e bija të Kosovës.

Por flamujt më çuan edhe te e sotmja, te pyetjet që kjo histori ende i mban hapur.

NGA RAMBUJEJA TE RUDI BERISHA

Flamujt e UÇK-së më çuan edhe te Rambujeja, një nga momentet vendimtare të historisë së Kosovës. Më kujtuan edhe një episod të veçantë të gazetarisë sime: Hashim Thaçi, nga Rambujeja, dha një intervistë për gazetën “Ushtria”, të cilën e mori gazetari Afrim Imaj dhe që gazeta jonë e botoi ndër të parat.

Në kujtesën time për atë periudhë nuk mund të mungojë as Adem Demaçi – Simboli i Kombit Shqiptar. Dhe pikërisht këtu takimi me nipin e tij, Rudi Berishën, mori një kuptim të veçantë.

Kur e takova për herë të parë, e falënderova për hapësirën që më ka dhënë për botimet e mia në revistën “Albania – Shqipëri Natyrale”, si dhe për vëmendjen ndaj krijimtarisë sime. Rudi Berisha, delegat i Kongresit, drejtor i Shtëpisë Botuese “Dardania” dhe botues i kësaj reviste në Podujevë dhe drejtuesi i Klubit letrar “Zahir Pajaziti”, është një zë që përmes librit, kulturës dhe publicistikës i jep hapësirë çështjes kombëtare.

Kështu, një takim i së tashmes më riktheu te kujtimet e një kohe që e kam ndjekur nga afër si gazetar: Rambujeja, lufta e Kosovës dhe njerëzit që lanë gjurmë në atë histori.

HAGA, NJË GJYQ QË DO TË SHKRUHET GJATË NË HISTORI

Tek shihja flamurin e UÇK-së përkrah flamurit kombëtar dhe

atij të Kosovës në sallën ku zhvillonte punimet Kongresi i Dytë Mbarëkombëtar Maratonë i Gjuhës, Historisë dhe Letërsisë Shqipe, nuk mund të mos mendoja edhe për procesin gjyqësor në Hagë.

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën vendimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues i gjeti fajtorë për krimet e luftës të ndalimit/arrestimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Për akuzat për krime kundër njerëzimit, të katër u shpallën të pafajshëm. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Ndërkohë, në hapësirat shqiptare dhe në diasporë pati protesta e tubime solidariteti. Edhe në Kalabri, në tokën e arbëreshëve, më 18–20 shtator u përcoll mesazhi “Liri për çlirimtarët”, duke e lidhur kujtesën dhe identitetin arbëresh me solidaritetin ndaj Kosovës.

Këtu, për mua, historia dhe e tashmja takohen në një pikë të ndjeshme.

Kosova ka përjetuar luftën, humbjet, zhdukjet dhe plagët e saj. Ka familje që ende mbajnë kujtimet e të rënëve dhe të të zhdukurve. Ndërkohë, procesi gjyqësor në Hagë ka hapur një tjetër kapitull të kësaj historie, një kapitull që do të mbetet pjesë e debatit dhe kujtesës publike.

Unë, si gazetar që e kam prekur nga afër historinë e Kosovës në vitin 1999, nuk mund të kaloj indiferent përpara kësaj pjese të së shkuarës.

Nuk isha pjesëtar i drejtpërdrejtë i frontit të luftës. Por rastësia bëri që të gjendesha në Kukës kur erdhën 40 vëllezërit tanë kosovarë, të dëbuar me dhunë nga Kosova. Isha aty kur hynë trupat e KFOR-it në Morinë dhe kur shpërtheu eksodi i madh.

Isha edhe ndër ata që ndoqën stërvitjen e trupave shqiptare “Drini i Bardhë ’99”, ndërsa nga një kodër shihnim karvanë të pafund njerëzish e mjetesh që hynin në tokën shqiptare. Në Spitalin Ushtarak takonim edhe luftëtarë të UÇK-së dhe njerëz të plagosur, po ashtu dhe në Kukës e Tiranë, ku u ngritën kampingje enkas për të strehuar vëllezërit tanë kosovar; të cilët na rrëfenin për atë që po ndodhte në Kosovë: djegien e banesave, dhunën dhe represionin serb.

Janë pamje që nuk harrohen lehtë.

Prandaj, kur shoh sot flamujt e UÇK-së në rrugët e Malishevës, nuk i shoh vetëm si një simbol të vendosur në një shtyllë. Pas tyre shoh njerëz, histori, dhimbje dhe jetë të tronditura nga lufta.

Nuk jam këtu për të dhënë një verdikt timin mbi procesin gjyqësor. Jam këtu për të dëshmuar atë që pashë: flamujt,

emrat dhe një histori që vazhdon të jetojë në rrugët e Malishevës, në Kosovë dhe në kujtesën e njerëzve të saj.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe forca e një reportazhi: të shohësh një flamur në një shtyllë, por pas tij të dallosh një histori të tërë.

Atë ditë, në Malishevë, flamujt e UÇK-së më kujtuan se historia nuk rri vetëm në libra.

Ajo ecën me ne.

Shfaqet në rrugë, në emrat e institucioneve e të rrugëve, në kujtimet e njerëzve dhe, herë-herë, edhe në sallat e gjykatave.

Flamujt nuk folën. Por unë i dëgjova.

SHTËPIA E KULTURËS “TAHIR SINANI” – VEND I KUJTESËS, I KULTURËS DHE I BASHKIMIT KOMBËTAR

Ndalesa jonë e parë ishte Shtëpia e Kulturës “Tahir Sinani”, një hapësirë që atë ditë nuk ishte thjesht një godinë kulture, por u shndërrua në një vatër të fjalës, kujtesës dhe bashkimit kombëtar.

Godina, e ndërtuar në vitet e fundit, kishte një sallë të përshtatshme për veprimtari të tilla, me karrige të kuqe, hapësirë të përgatitur për zhvillimin e Kongresit dhe pankarta që dëshmonin se aty po hapej një veprimtari kushtuar gjuhës, historisë, letërsisë dhe çështjes kombëtare shqiptare.

Në hyrje të godinës valëviteshin dy flamuj: flamuri kombëtar i Republikës së Shqipërisë dhe flamuri i Republikës së Kosovës.

Dy flamuj, dy shtete, por një hapësirë e përbashkët shpirtërore, një histori dhe një identitet kombëtar që na bashkon.

Edhe emri i godinës, “Tahir Sinani”, më bëri të ndalem për një çast. Për të, për historinë dhe sakrificën e tij, kisha menduar që në ditët e përgatitjes. Tani, përballë kësaj godine, emri i tij merrte një kuptim edhe më të drejtpërdrejtë.

Malisheva nuk ishte vetëm emri i një salle apo vendi ku do të zhvillohej një Kongres. Sa më shumë që qëndroja aty, aq më shumë ndieja se pas asaj dere kishte histori, njerëz, sakrifica dhe kujtesë.

Dhe pikërisht aty nisi edhe një nga momentet simbolike të kësaj dite:

regjistrimi i delegatëve të Kongresit.

Një nga një, delegatët afroheshin pranë regjistrit. Emri, atësia, mbiemri, profesioni dhe vendi nga vinin shënoheshin me kujdes.

Nuk ishte thjesht një procedurë administrative.

Ishte një faqe që po mbushej me njerëz dhe histori.

Në krye të regjistrit u shënuan organizatorja dhe kryetarja e Kongresit, znj. Manushaqe Ramadan Shalsi Ismaili, më pas Jakup Krasniqi, dhe i treti në radhë isha unë, Nexhbedin

Basha. Pas nesh vijuan, njëri pas tjetrit, të gjithë delegatët, secili duke lënë emrin e vet në atë faqe.

Emrat po renditeshin në letër, por pas çdo emri kishte një histori, një vend, një profesion, një përvojë dhe një arsye për të qenë aty.

Kështu, regjistri i delegatëve nisi të merrte edhe një tjetër kuptim: të bëhej një dëshmi e shkruar e njerëzve që kishin ardhur nga trevat shqiptare dhe diaspora, për t’u bërë pjesë e një veprimtarie të përbashkët kushtuar gjuhës, historisë dhe letërsisë shqipe.

Ishte fillimi i një dite të veçantë.

Malisheva na kishte hapur dyert. Flamujt valëviteshin në hyrje, emrat po shkruheshin në regjistër dhe Shtëpia e Kulturës “Tahir Sinani” po bëhej dëshmitare e një takimi ku fjala shqipe do të merrte edhe një herë vendin e saj në qendër të vëmendjes.

KONGRESI I DYTË PËR GJUHËN, HISTORINË DHE LETËRSINË SHQIPE, OGUR I MIRË PËR KOMBIN DHE IDENTITETIN KOMBËTAR

Në ditën e parë të Kongresit, më 19 shtator, pas fjalës së rastit të organizatores dhe kryetares së Kongresit, znj. Manushaqe Ramadan Shalsi Ismaili, atmosfera në sallë mori një tjetër dimension. Përballë nesh ishin mbledhur akademikë, historianë, gjuhëtarë, mësues, studiues, shkrimtarë, poetë dhe përfaqësues të jetës kulturore, ardhur nga hapësira të ndryshme shqiptare dhe diaspora.

Në fjalën e saj, kryetarja u ndal te tema qendrore e Kongresit, “Kombi dhe identiteti kombëtar”, duke vënë theksin te rëndësia e gjuhës, historisë dhe letërsisë si shtylla të identitetit shqiptar. Ajo theksoi nevojën që këto vlera të mos mbeten vetëm pjesë e kujtesës, por të marrin një vëmendje më të madhe në jetën kulturore, arsimore dhe shoqërore të shqiptarëve.

Në këtë kuadër, znj. Manushaqe Shalsi Ismaili prezantoi edhe projekt-rezolutën për krijimin e “Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë”. Siç u shpjegua në Kongres, kjo projekt-ide nuk synon një bashkim territorial fizik të shteteve, por krijimin e një hapësire më të gjerë bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve, përmes gjuhës, kulturës, arsimit, historisë, ekonomisë dhe projekteve të përbashkëta.

Ideja synon të nxisë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë dhe në cilin shtet ndodhen: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës apo në diasporë.

Gjuha si urë, historia si kujtesë dhe kultura si hapësirë ku shqiptarët mund të takohen pa kufij.

Në këtë këndvështrim, Kongresi nuk ishte vetëm një tryezë diskutimi për gjuhën, historinë dhe letërsinë. Ai u shfaq edhe si një hapësirë ku mund të hidhen ide, të shkëmbehen përvoja dhe të kërkohen forma të reja bashkëpunimi në hapësirën shqiptare.

Projekt-rezoluta solli natyrshëm edhe nevojën për diskutim. Një ide e tillë, për vetë përmasën dhe përmbajtjen e saj, nuk mund të mbyllet brenda një salle dhe as të shihet vetëm si një formulim simbolik. Ajo kërkon debat, reflektim, argumente dhe, mbi të gjitha, një diskutim të gjerë ndërmjet studiuesve, intelektualëve dhe institucioneve.

Dhe ndoshta ky është edhe një nga kuptimet e një Kongresi: të mos japë gjithmonë përgjigje të gatshme, por të hapë pyetje që kërkojnë përgjigje.

Në Malishevë, fjala për kombin dhe identitetin kombëtar nuk mbeti vetëm në nivelin e ligjërimit. Ajo u shoqërua me njerëz, me kujtime, me poezi, me histori të jetuara dhe me ide për të ardhmen.

Kështu, Kongresi i Dytë, përtej programit të tij, më la përshtypjen e një përpjekjeje për të krijuar një hapësirë ku gjuha, historia dhe letërsia shqipe të shërbejnë jo vetëm si dëshmi e së shkuarës, por edhe si ura drejt së ardhmes.

EVENT POETIK: PASDITJA KU POEZIA NA BASHKOI

Pas këtyre fjalëve të saj vijoi pasditja poetike, e moderuar nga poetët Lola Shehu dhe Perikli Shuli, ku fjala e shkruar mori jetë përmes interpretimit. Poetët pjesëmarrës në konkursin e organizuar nga KKGJHL sollën në skenë krijimet e tyre, me tema, ndjesi dhe këndvështrime të ndryshme, por të bashkuara nga dashuria për gjuhën dhe fjalën shqipe.

Edhe unë u ngjita në skenë dhe interpretova poezinë time “Pulsi i Dardanisë”, të përfshirë në librin “Kur flet dheu dëgjojnë rrënjët”, botuar vetëm një ditë më parë.

Ishte një moment i veçantë për mua. Libri sapo kishte parë dritën e botimit dhe një nga poezitë e tij po merrte jetë para një audience të përbërë nga profesorë, shkrimtarë, poetë, akademikë, studiues, krijues dhe përfaqësues të shoqatave atdhetare.

Të dëgjoje vargjet e tua në Malishevë, në një veprimtari kushtuar gjuhës, historisë dhe letërsisë shqipe, ishte nga ato çaste që nuk mbeten thjesht pjesë e programit, por ruhen gjatë në kujtesën e autorit.

Në këtë pjesë të veprimtarisë u dallua edhe ndërhyrja e Rudi Berishës, poet nga Podujeva dhe nip i Adem Demaçit, i cili reagoi ndaj përdorimit të termit “kosovar”, duke shprehur qëndrimin e tij se “ne nuk jemi kosovarë, jemi shqiptarë”. Ndërhyrja solli në sallë një këndvështrim tjetër mbi identiteti dhe mbi mënyrën se si përdoren termat që lidhen me shqiptarët e Kosovës.

Në skenë u interpretuan edhe poezi e krijime nga Silvana Rodi, me “Gjuha ime”, Ymrije Bardhi, me “Nën lëkurën e fjalës”, Luli Kryemadhi, me “Do flas…”, si dhe nga poetet Vitore Stefa Leka, Rabie Bytyçi, Hasije Ramadani e shumë të tjerë.

Në një veprimtari ku diskutohen gjuha dhe historia, poezia sjell një tjetër mënyrë komunikimi. Ajo nuk argumenton si një kumtesë dhe nuk dokumenton si një raport; ajo shpreh përmes vargut atë që shpesh nuk mund të thuhet vetëm me gjuhën e fakteve.

Dhe atë pasdite, në Malishevë, fjala shqipe nuk u dëgjua vetëm në podium. Ajo u këndua, u interpretua dhe u ndje në vargje.

KËNGA DHE VALLJA

Gjatë veprimtarisë, grupi artistik i Malishevës, nën drejtimin e prof. Jakup Krasniqit, i dha Kongresit edhe një dimension të veçantë kulturor, përmes këngës dhe valles.

Prania e të rinjve, nxënësve të shkollave dhe artistëve të rinj solli në sallë një atmosferë të ngrohtë e festive, duke e lidhur fjalën e mbajtur në Kongres me traditën, kujtesën dhe shpirtin kulturor të vendit pritës.

Veçanërisht mbetën në kujtesë interpretimet e dy vajzave, nxënëse shkolle, poezi kushtuar rrënjëve të kombit dhe dëshmorëve të atdheut. Zërat e tyre të rinj sollën në skenë një mesazh që lidhej natyrshëm me temën e Kongresit: lidhjen me rrënjët, me historinë dhe me të ardhmen.

Kënga dhe vallja nuk ishin thjesht një ndërprerje artistike e programit. Ato ishin një mënyrë e bukur përmes së cilës Malisheva prezantoi veten, traditën dhe trashëgiminë e saj para mysafirëve të Kongresit.

Në atë sallë, fjala u pasua nga kënga dhe kënga nga vallja. Për disa çaste, ligjërimet, kumtesat dhe diskutimet u lanë mënjanë dhe skena foli me gjuhën e artit.

Sepse ka momente kur ajo që nuk thuhet me fjalë, thuhet më bukur përmes këngës dhe valles.

SOFRA QË U KTHYE NË FESTË

Më pas, gjatë të dyja ditëve, dreka na u servir në të njëjtin lokal, “Goni Palce”. Ushqimi ishte i shijshëm dhe ambienti, me një standard të mirë shërbimi, të krijonte dëshirën të qëndroje edhe më gjatë. Sigurisht, nuk munguan as fotografitë e kujtimit, sepse disa çaste ia vlen të ruhen.

Por në ditën e dytë, dreka mori një tjetër ritëm. Grupi artistik i Shtëpisë së Kulturës “Tahir Sinani” solli në ambientin e restorantit këngën, vallen dhe ngjyrat e traditës. Vajzat e reja,

të veshura me kostume popullore, krijuan një atmosferë të ngrohtë, plot hare e gjallëri.

Edhe delegatët e Kongresit nuk mbetën vetëm spektatorë. Pak nga pak, u përfshinë në këtë atmosferë. Duartrokitje, buzëqeshje, këngë, valle dhe fotografi u ndërthurën natyrshëm. Për një çast, tryezat e drekës u kthyen në një sofrë të madhe miqësie.

Për një moment, fjalimet, kumtesat dhe diskutimet u lanë mënjanë. Fliste kënga, fliste vallja, fliste gëzimi i të qenit bashkë.

Në dalje, u afrova te dy djem të rinj, rreth 26–28 vjeç, që kishin shërbyer gjatë drekës. I falënderova për mikpritjen dhe shërbimin dhe bëra edhe një fotografi me ta, si kujtim.

Nga ballkoni i restorantit, vështrimi të zgjatej larg. Përpara shtriheshin toka të gjera, ende të pashfrytëzuara. Edhe një herë më erdhi ajo ndjesi që më kishte shoqëruar gjatë rrugës: këtu kishte hapësirë, tokë dhe mundësi për të ardhmen.

Malisheva po ndryshonte para syve tanë. Ndërtimet e reja, bizneset, rrugët dhe hapësirat e mëdha të lira të jepnin përshtypjen e një vendi që ende po kërkonte formën e vet dhe që kishte shumë për të bërë.

Po ndërtohej për të nesërmen.

NJË NATË ME HUMOR

Mbrëmja solli edhe një tjetër “problem” të vogël:

akomodimin. Hotelet kishin kryesisht dhoma me një krevat dopio, çka solli menjëherë edhe humorin mes pjesëmarrësve:

“Do të flemë burrë me burrë e grua me grua!”

Fjalia u shoqërua me të qeshura dhe e zbuti atë çast të vogël sikleti. Në fund, secili gjeti zgjidhjen e vet.

Pas një dite të gjatë me udhëtim, takime, poezi, emocione dhe shumë fytyra të reja, erdhi koha për të pushuar. Një nga netët e kalova në hotel, në kushte të mira dhe të qeta.

Por Malisheva nuk kishte mbaruar ende së treguari historinë e saj.

TAKIM I PAPLANIFIKUAR

Për shkak të axhendës së ngjeshur, edhe zgjimin e bëmë si ushtarë. Koha nuk priste. Pas një fotografie para hotelit dhe një përshëndetjeje me pronarin, u drejtuam te bar-kafe-restorant “Magnola” për një mëngjes të thjeshtë.

Desha t’i prezantoja pronarit librin tim “Kur flet dheu dëgjojnë rrënjët”. E mori në dorë, lexoi disa pjesë nga hyrja dhe parathënia e poetit Bajram Torba, e vlerësoi, por nuk e mori. Ky episod më bëri të mendoj për kohën e sotme, kur informacioni i shpejtë në rrjetet sociale po i lë gjithnjë e më pak vend qetësisë dhe vëmendjes që kërkon libri.

Ndërsa po pija kafenë me poetin Hajri Lamaj, psikologun prof. Shaban Demiri dhe Ilia Kokthin, një telefonatë nga dr. Faik Bardhi dhe një SMS nga Luli Kryemadhi na njoftuan se furgoni i bashkisë do të vinte të na merrte për të shkuar në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”.

Para se të largoheshim, në hapësirën e jashtme të restorantit, vura re një burrë elegant, të rrethuar nga njerëz.

– Kush është? – pyeta.

– E kemi pasur mësues. Ka qenë edhe drejtor shkolle. Gëzon shumë respekt në Malishevë.

Fjala mësues më bëri të afrohesha.

– Jam Nexhbedin Basha, nga Dibra. Edhe unë kam qenë mësues dhe, duke parë respektin që ju rrethon, desha t’ju përshëndes.

Ai më priti ngrohtësisht.

– Si e keni emrin?

– Jonuz Kastrati. Kam qenë mësues, drejtor shkolle dhe deputet në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Kosovës.

Biseda u bë menjëherë më e afërt. I dhurova librin tim “Kur flet dheu dëgjojnë rrënjët”, me një mbishkrim mirënjohjeje dhe respekti.

Kur mësova se kishte qenë deputet në vitet 2004–2007, e pyeta për ndryshimin mes asaj legjislature dhe të sotmes.

– Përbërja. Kapacitetet intelektuale. Shumica e deputetëve kishin grada shkencore, – m’u përgjigj.

Biseduam edhe për UÇK-në, Pavarësinë e Kosovës, zhvillimet në Hagë dhe Malishevën, për të cilën kishte shumëçka për të treguar. E ftova në veprimtarinë tonë, por nuk mundi të vinte, pasi ishte i ftuar në një aktivitet tjetër.

U përshëndetëm dhe, me çantën e librave në dorë, iu bashkova nxitimit të axhendës. Por takimi i sapopërfunduar më mbeti në mendje: në një mëngjes të zakonshëm, kisha takuar një njeri që kishte qenë mësues, drejtor shkolle dhe deputet.

Disa takime nuk i planifikon askush. Por pikërisht ato mbeten.

U largova prej tij jo vetëm me kujtimin e një copëze Malisheve, por edhe me një njohje që erdhi papritur dhe u bë pjesë e kujtesës sime.

DREJT SALLËS

Në orën 09:30 mbërriti furgoni i bashkisë. Brenda pak minutash u nisëm drejt Shtëpisë së Kulturës “Tahir Sinani”, ku do të vijonin punimet e Kongresit.

Pritja ishte e ngrohtë dhe festive. Në hyrje na priti drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Jakup Krasniqi, ndërsa pranë tij qëndronin vajzat e grupit artistik, të veshura me kostume kombëtare dhe me ëmbëlsira në duar, siç pret i zoti i shtëpisë

mysafirët.

Ishte një pamje që të ndalte për një çast: tradita e veshur me ngjyrat e së resë. Vajzat sillnin me hijeshi një pjesë të kulturës dhe identitetit të Malishevës.

Pastaj hymë në sallë.

Dhe aty nisi pjesa kryesore e kësaj dite: diskutimet, kumtesat, takimet dhe ngjarjet e ditës së dytë të Kongresit.

FJALA DHE PËRSHËNDETJET

Në fjalën e hapjes së Kongresit të Dytë Mbarëkombëtar Maratonë të Gjuhës, Historisë dhe Letërsisë Shqipe, znj. Manushaqe Ramadan Shalsi Ismaili, organizatorja dhe kryetarja e Kongresit, falënderoi pjesëmarrësit, përfaqësuesit e pushtetit vendor, organizatorët, intelektualët, shkrimtarët, poetët dhe studiuesit që iu bashkuan kësaj veprimtarie.

Në qendër të fjalës së saj ishin kombi, identiteti dhe dinjiteti kombëtar, si dhe përgjegjësia për ruajtjen e gjuhës, historisë, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. Ajo e cilësoi Kongresin jo thjesht si një veprimtari dyditore, por si një rrugëtim që synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për njerëzit e dijes dhe të kulturës shqiptare, nga trevat shqiptare dhe diaspora.

Në përfundim, ajo i ftoi pjesëmarrësit të japin kontributin e tyre për forcimin e identitetit kombëtar dhe përcjelljen e

këtyre vlerave te brezat e rinj, duke e përmbyllur me moton:

“Të bëjmë të pavdekshëm kombin duke mbrojtur gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare – Bashkimi bën fuqinë.”

Më pas u përcollën përshëndetjet e institucioneve vendore. Teuta Mazreku, Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Malishevës, përcolli përshëndetjet e kryetarit Ekrem Kastrati, duke shprehur mirëseardhjen për pjesëmarrësit dhe vlerësimin për këtë veprimtari.

Sipas saj, kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm për afrimin e njerëzve të kulturës, gjuhës, historisë dhe letërsisë shqiptare, si dhe për krijimin e hapësirave të reja të bashkëpunimit ndërmjet trevave shqiptare.

Në vijim përshëndetën përfaqësues të shoqatave dhe OJQ-ve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe diaspora.

Ndër ta ishte edhe Dr. Sandër Marku, mjek specialist dhe President i Urdhrit të Mjekut të Rajonit, njëkohësisht Kryetar i Shoqatës Universale për Paqe dhe përfaqësues i shoqatave patriotike nga Nishi dhe Presheva. Ai e cilësoi këtë Kongres si një ogur të mirë për bashkimin kombëtar.

Në të njëjtën frymë përshëndeti edhe Tomor Kotori, kryetar i Shoqatës At-Dhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, i cili njëkohësisht i dhuroi kryetares së Kongresit, znj. Manushaqe Ramadan Shalsi Ismaili, Certifikatën e Mirënjohjes “Nderi i Shoqatës ‘Vëllezërit Frashëri’”.

Një moment i veçantë ishte mesazhi i Shoqatës “MOKRA”, drejtuar nga Ramadan Kllogjeri, i përcjellë përmes këngës:

“Shqiptarë kudo jemi, të gjithë një nënë kemi.”

Në këtë panoramë të përshëndetjeve pati edhe përfaqësues të tjerë të organizatave pjesëmarrëse, emrat e të cilëve nuk arrita t’i shënoja të gjithë. Për këtë arsye kërkoj ndjesë, duke shpresuar që vetë ata, përmes komenteve apo dëshmive të tyre, të plotësojnë këtë pjesë të reportazhit.

Edhe ajo që nuk u tha në sallë mund të shërbejë si një kujtesë për atë që duhet bërë më mirë në të ardhmen.

Pas fjalëve të përshëndetjes, Kongresi hyri në pjesën e tij më të drejtpërdrejtë: kumtesat dhe diskutimet.

Fjala tashmë nuk ishte vetëm urim apo mesazh mirëseardhjeje, por u kthye në mendim, argument dhe këndvështrim mbi gjuhën, historinë, letërsinë dhe çështje që lidhen me identitetin dhe kulturën shqiptare.

Në tribunën e Kongresit u dëgjuan zëra nga fusha të ndryshme të dijes dhe të krijimtarisë. Studiues, historianë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, mësues dhe intelektualë sollën në vëmendje tema dhe këndvështrime të ndryshme, duke e pasuruar debatin me përvojat dhe mendimet e tyre.

Kumtesat e mbajtura dëshmuan edhe një herë se gjuha, historia dhe letërsia nuk janë fusha të ndara, por pjesë të një kujtese dhe identiteti që përcillet nga brezi në brez. Në këtëkuptim, Kongresi krijoi një hapësirë ku fjala akademike, ajo publicistike dhe fjala poetike u takuan në të njëjtën tryezë.

Një tjetër moment me vlerë ishte dhurimi i librave nga shkrimtarë, poetë dhe studiues, delegatë të Kongresit, për Kongresin dhe bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë. Për këtë nismë u përkushtua veçanërisht Valbona Çinaj, sekretare e Kongresit, e cila u kujdes për mbledhjen dhe regjistrimin e librave.

Kështu, përveç fjalëve të mbajtura në sallë, Kongresi la pas edhe një pasuri konkrete: librat e autorëve pjesëmarrës, si dëshmi e këtij takimi kulturor dhe si një kontribut për lexuesit e bibliotekës së Malishevës.

KUMTESA – FJALA QË MBAJTI PESHËN E KONGRESIT

Nëse përshëndetjet krijuan atmosferën e hapjes, kumtesat dhe diskutimet përbënin thelbin e punimeve të Kongresit.

Studiues, shkrimtarë, poetë dhe intelektualë, ndër ta Kol Marku, Kasam Shaqirvelaj, Qerim Kastrati, Jakup Krasniqi, Kozeta Zavalani, Hetem Jakupaj, prof. Shaban Demiraj, Refik Reshitaj, Daim Iljazi, Adi Mehmeti, Vesel Sabedini e të tjerë, sollën në sallë këndvështrime të ndryshme mbi gjuhën shqipe, historinë, letërsinë, kulturën dhe identitetin kombëtar.

Studiuesi Kol Marku, në kumtesën e tij, hodhi dritë mbi

pellazgët, origjinën dhe lidhjet e tyre me rrënjët e kombit. Ndërsa shkrimtari Kasam Shaqirvelaj trajtoi tema që lidhen me Skënderbeun, si dhe çështje të tjera historike e kulturore.

Në mesin e kumtuesve isha edhe unë, Nexhbedin Basha, me kumtesën “Bashkimi Kombëtar – thirrja që vjen nga rrënjët”, ku solla në vëmendje lidhjet historike, kulturore dhe shpirtërore ndërmjet shqiptarëve.

Kumtesat prekën fusha të ndryshme. Disa u përqendruan te historia, të tjera te gjuha, letërsia dhe roli i tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Studiuesi dhe poeti Daim Iljazi trajtoi gjendjen e gjuhës shqipe sot dhe deformimet që ajo po pëson nga përdorimi i fjalëve të huaja, veçanërisht në shtyp dhe në media.

Studiuesi Refik Reshitaj u ndal te ndikimi dhe roli negativ i deformimeve të gjuhës shqipe.

Hetem Jakupaj trajtoi lidhjen ndërmjet gjuhës, kulturës dhe historisë si ura që bashkojnë shqiptarët kudo që jetojnë.

Poetja Kozeta Zavalani solli në vëmendje rolin e poezisë dhe të fjalës shqipe në shprehjen dhe ruajtjen e identitetit.

Ndërsa Qerim Kastrati, me temënShqipëria natyrale – vështrim gjeografik”, solli një këndvështrim mbi hapësirën shqiptare dhe lidhjet e saj gjeografike.

Vesel Sabedini, nga Lugina e Preshevës, foli për gjuhën shqipe dhe ruajtjen e saj në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, treva shqiptare brenda territorit të Serbisë, duke theksuar rëndësinë e njësimit të gjuhës shqipe në të gjitha trojet shqiptare.

Krahas tyre, në Kongres u paraqitën edhe tema të tjera, që prekën historinë, kulturën, letërsinë dhe çështje të identitetit shqiptar.

Pikërisht në këtë larmi temash dhe këndvështrimesh u shfaq edhe një nga sfidat e një Kongresi të tillë: kur në një sallë mblidhen kaq shumë njerëz, ide dhe kumtesa, koha nuk mjafton gjithmonë për t’i dëgjuar të gjithë sa duhet.

Megjithatë, kumtesat mbetën pjesa ku fjala mori formën e argumentit dhe mendimet u vunë në diskutim. Materialet e paraqitura pritet të pasqyrohen në librin kushtuar Kongresit, duke ruajtur përtej Malishevës atë që u tha dhe u diskutua në sallë.

Një vlerësim i veçantë i takon edhe Fatjon Bungës, Sekretar i Përgjithshëm i Shtëpisë së Kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, për kontributin dhe përkushtimin e tij në mbarëvajtjen e Kongresit. Me korrektësi, qetësi dhe gatishmëri për të ndihmuar, ai ishte një nga njerëzit që punuan në prapaskenë që veprimtaria të zhvillohej sa më mirë, duke kontribuar në organizimin dhe koordinimin e nevojshëm gjatë dy ditëve të aktivitetit. Puna e tij, ndonëse jo gjithmonë e dukshme në skenë, ishte pjesë e rëndësishme e suksesit organizativ të Kongresit.

Në këtë kujtesë nuk duhen lënë jashtë as Arbër Nezha, Nuha Krasniqi dhe Afrim Morina, të cilët ndoqën, dokumentuan dhe filmuan me përkushtim zhvillimet e Kongresit, duke ruajtur në pamje momente të rëndësishme të kësaj veprimtarie.

Në fund të fundit, një Kongres nuk mbetet vetëm te ajo që thuhet në sallë.

Ai mbetet edhe te fjala e shkruar, te libri, te kujtesa dhe te dëshmia e atyre që ishin aty.

SHTETET E BASHKUARA TË SHQIPËRISË – NJË IDE QË KËRKON DEBAT

Në mbyllje të Kongresit, kryetarja dhe organizatorja e tij, znj. Manushaqe Ramadan Shalsi Ismaili, lexoi Rezolutën e Kongresit dhe prezantoi para delegatëve e të pranishmëve edhe projekt-idën “Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë”. Sipas materialit të prezantuar në Kongres, kjo projekt-ide është përfshirë në Rezolutë dhe, në kohën kur po shkruaj këtë reportazh, është publikuar edhe në platformën digjitale të KKGJHL-së.

Rezoluta, në tërësinë e saj, prek një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me jetën shoqërore, kulturore, arsimore dhe

institucionale. Ajo përfshin kapituj për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe; sigurinë, mbrojtjen civile dhe përgatitjen e brezit të ri; mbrojtjen e identitetit kombëtar; luftën kundër korrupsionit; mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë; projekt-idën “Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë”; mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe arkeologjike; kujtesën historike të luftës në Kosovë; mbështetjen e letërsisë shqiptare; edukimin e brezit të ri; mbrojtjen e kapitalit njerëzor dhe rinisë; punësimin dhe vlerësimin e profesionistëve; sigurinë ushqimore; mbrojtjen e pasurive kombëtare; familjen dhe legjislacionin familjar; si dhe një thirrje për veprim institucional dhe qytetar.

Veçanërisht tërhoqi vëmendjen Kapitulli VI – Projekt-ideja “Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë”. Sipas tekstit të Rezolutës, ajo paraqitet për diskutim publik dhe institucional dhe synon hapjen e një procesi qytetar, shkencor, juridik dhe institucional për të shqyrtuar forma më të avancuara bashkëpunimi dhe integrimi ndërmjet shqiptarëve.

Vetë dokumenti, sipas përmbajtjes së prezantuar, sqaron se Kongresi nuk shpall krijimin e një strukture të re shtetërore dhe se çdo zhvillim i ardhshëm do të duhej të mbështetej në vullnetin e qytetarëve, dialogun demokratik, studimet juridike e kushtetuese dhe procedurat institucionale.

Kjo është një çështje që prek drejtpërdrejt fushën politike dhe institucionale dhe, pikërisht për këtë arsye, kërkon debat publik, argumente dhe shqyrtim nga këndvështrime të ndryshme.

Në një Kongres mund të hidhen ide. Por një ide, për t’u kthyer në projekt, kërkon shumë më tepër se një sallë dhe një podium: kërkon studim, debat, argumentim juridik e kushtetues, vlerësim institucional dhe, mbi të gjitha, një proces demokratik.

Për mua, rëndësia e këtij momenti të Kongresit nuk qëndron vetëm te emërtimi i projekt-idës, por te fakti se një çështje e tillë u hodh publikisht në tryezë dhe kërkon të diskutohet.

Ideja u tha. Tani mbetet debati.

ÇMIMET DHE MIRËNJOHJET E JURISË

Në përfundim të punimeve të Kongresit, më 20 shtator, nën drejtimin e Kryetares së Kongresit Znj.Manushaqe Ramadan Shalsi Ismaili u shpallën edhe vlerësimet e jurisë për krijuesit dhe pjesëmarrësit.

Kol Marku u nderua me Çmimin Kombëtar “Kujtesa e Kombit”, për merita të veçanta në ruajtjen e historisë shqiptare.

Lulzime Kryemadhi mori Çmimin Kombëtar “Fjala Shqipe”, për kontribut të shquar në letërsinë shqipe.

Kasam Shaqirvelaj u vlerësua me Çmimin Kombëtar “Gjuha Shqipe”, për merita të veçanta në mbrojtjen e gjuhës shqipe.

Ndërsa Vitore Stefa Leka u nderua me Çmim Special, si një nga zërat më të hershëm dhe poetja më e moshuar pjesëmarrëse në Kongres.

Për disa prej krijuesve u dhanë edhe Certifikata Mirënjohjeje, në vlerësim të pjesëmarrjes dhe kontributit të tyre në konkursin poetik dhe në veprimtarinë e Kongresit.

Këto vlerësime i dhanë një dimension tjetër pasdites poetike. Ato nuk ishin vetëm çmime, por një mënyrë për të vënë në dukje kontributin e njerëzve që, në mënyra të ndryshme, i shërbejnë gjuhës, letërsisë dhe kujtesës shqiptare.

Por përtej poezisë dhe vlerësimeve, kjo pasdite ishte edhe një mundësi për t’u njohur më nga afër me delegatët e shumtë të Kongresit. Shumë prej tyre i njihja më parë vetëm nga rrjetet sociale, shkrimet apo veprimtaritë e ndryshme. Në Malishevë pata mundësinë t’i takoja, të bisedoja me ta dhe të shkëmbeja mendime e përvoja.

Nuk dua t’i rendis emrat njëri pas tjetrit, sepse nuk është ky qëllimi i këtij rrëfimi. Dua të ruaj udhëtimin tim, përshtypjet, njerëzit dhe ato çaste që më mbetën në kujtesë.

Edhe një moment i pakëndshëm ishte pjesë e kësaj pasditeje. Ndërprerja e fonisë solli reagime në sallë dhe krijoi një çast tensioni gjatë programit. Ishte një nga ato situata që mund të ndodhin në një veprimtari të ngjeshur, por që, edhe pse të vogla në pamje të parë, bëhen pjesë e kujtesës së një dite.

E megjithatë, programi vazhdoi. Pas pak, mikrofoni heshti më së fundi, por poezia nuk heshti. Krijuesit vijuan interpretimet dhe pasditja e riktheu ritmin e saj.

Në fund, ajo që mbeti nuk ishte vetëm ajo që u tha nga mikrofoni apo emrat e shkruar në certifikata. Mbetën njohjet, bisedat, miqësitë e reja dhe ndjesia se, për dy ditë, njerëz nga hapësira të ndryshme shqiptare ishin bërë pjesë e së njëjtës tryezë kulturore.

Dhe ndoshta ky ishte një nga çmimet më të bukura të atyre dy ditëve: të njihje njerëz që deri dje i kishe njohur vetëm përmes fjalës së shkruar.

DY DITË QË MBETEN NË KUJTESË

Dy ditë në Malishevë.

Dy ditë me njerëz, fjalë, poezi, ide, pritshmëri, vështirësi dhe kujtime. Ditë në të cilat rrugët, salla, bisedat dhe takimet u bënë pjesë e një përvoje që nuk mbaroi me përfundimin e Kongresit.

Kur u nisëm nga Malisheva, rruga drejt Morinës dhe më tej drejt Shqipërisë dukej më e shkurtër se në ardhje. Ndoshta

sepse këtë herë nuk po udhëtonim vetëm me valixhet dhe kujtimet e atyre ditëve, por edhe me fytyrat e njerëzve që takuam, me fjalët që dëgjuam, me librat që shkëmbyem dhe me idetë që mbetën për t’u menduar.

U kthyem nga Malisheva në mbrëmjen e 20 shtatorit 2026, me atë që morëm prej saj: takime të reja, miqësi, poezi, diskutime dhe pyetje që kërkojnë ende përgjigje.

Sepse një veprimtari e tillë nuk matet vetëm me atë që ndodh gjatë dy ditëve. Koha dhe puna që do të vijë do të tregojnë se çfarë do të mbetet prej tyre.

Malisheva mbetet pas nesh si një ndalesë e rëndësishme e këtyre ditëve, por edhe si një kujtesë se gjuha, historia dhe letërsia nuk jetojnë vetëm në libra e në salla. Ato jetojnë te njerëzit që i mbajnë, i përcjellin dhe i bëjnë pjesë të së ardhmes.

Dy ditë që tashmë i përkasin kujtesës.

Dhe kujtesa, kur është e gjallë, gjithmonë kërkon një vazhdim.

Tiranë, më 1 tetor 2026