Smajl Latifi: Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në shumë fshatra të Rahovecit 
Shumë komuna sot po ballafaqohen me vërshime nga reshjet e mëdha të shiu që kanë nisur nga dje dhe po vazhdojnë edhe sot. Gazeta Online “Reporteri.net”, ka publikuar disa video që tregojnë gjendjen e rënduar nga vërshimet në disa fshatra të Rahovecit ku janë bllokuar edhe disa shtëpi pasi oborret e tyre janë mbuluar nga uji.Reporteri.net ka kontaktuar me kryetarin e kësaj komune, Smajl Latifi, për ta pyetur për gjendjen aktuale në këtë komunë.Ai ka thënë se gjendja për momentin është stabile pasi janë ndalur reshjet e shiut aktualisht, por thotë se dëmet e shkaktuara janë tejet të mëdha.“Për momentin gjendja është stabile. Jemi ballafaquar nga mesnata me reshjet e shiut ku bashkë me ekipin kemi dalë në terren. I kemi parë nga afër në shumë zona të komunës sonë, posaçërisht, në: Fortesë, Sapniq, Ratkoc, Malësi e Vogël, Gexhë, Celinë, Xërxë, Dejnë, Krushë e Madhe, Nagac, Çifllak, Hoçë e Vogël, Dobidol …etj.”, tha Latifi për Reporteri.net.Ai tha se dëmet janë në shtëpi, infrastrukturë, bujqësi.“Përmbytjet nga ujërat dhe pasojat që kemi në shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike, bujqësi etj”, tha Latifi.