9 DITË NË HORIZONTIN E DHJETË!-Shkruan; Prof.Hasan BALA.

                      Jam vërtet i indinjuar: Edhe pas 9 ditësh grevë të 200 minatorëve në horizontin e dhjetë, Qeveria e Kosovës ende nuk e sheh të arsyeshme të merret me këtë çështje – Vallë, a janë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm për këto veprimet ata që i prijnë kësaj Qeverie?

Vallë a nuk ndjejnë peshë turpi për qëndrimin e tyre – sa të butë e të kujdesshëm dinë të jenë me minoritarët serbë të Veriut, të cilëve, përpos se në vazhdimësi Qeveria ua paguan rrymën e ujin, tash edhe regjistrimin e veturave ua mundëson pa të holla, e në anën tjetër, janë aq të ashpër dhe përbuzë, madje edhe poshtnues për minatorët, saqë as nuk e quajnë të arsyeshme as të shkojnë të bisedojnë me ta për kërkesat e tyre!

Taman sikur minatorët të ishin prej Rashke a prej Zete, kurse sabotuesit serbë të ishin nga Zemra e Kosovës!

Me keqardhje e them, por kjo grevë minatorësh në thellësinë 800 m nën sipërfaqen e tokës, në njërën anë; dhe refuzimi kryeneç i qeveritarëve për të komunikuar me ta, në anën tjetër; ma kujton periudhën famëkeqe të diktaturës millosheviqiane, në njërën anë; dhe të shërbëtorëve të verbër të ASAJ DIKTATURE, siç ishin HUSAMEDIN AZEMI, JUSUF KARAKUSHI, ALI SHUKRIU etj. në anën tjetër.

Uroj që dita e nesërme të jetë ditë e vullnetit të mirë dhe e ndryshimit pozitiv!

1 NËNTOR 2023 ~ HHB~/www.qendrapress.com/