Dënohet me 4 mijë e 500 euro sulmuesi i gazetarit Valon Syla
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 4 mijë e 500 euro gjobë sulmuesin e gazetarit Valon Syla. Ky vendim i Gjykatës për dënim me gjobë ka ardhur pasi i dyshuari B.J ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje.
“Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit B.J për veprën penale Lëndim i lehtë trupor, nga neni 185 par.1, nënpar.1.4 të Kodit nr.06/L-074 të KPRK-së.
I akuzuari B.J është shpallur fajtor për këtë vepër penale dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 4,500 (katër mijë e pesëqind) euro, të cilin dënim është i obliguar që ta paguajë në afatin prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa koha e kaluar në paraburgim, nga data 22.12.2020 deri me datë 06.01.2021, të akuzuarit B.J. do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.
Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit mori parasysh rrethanat lehtësuese, si pranimin e fajësisë nga i akuzuari B.J., kërkim faljen dhe pendimin për kryerjen e veprës penale, ndërsa rrethanë rënduese mori rrethanat në të cilat është kryer vepra penale në vend publik dhe në prezencë të kalimtarëve të rastit, duke shkaktuar shqetësim në popullatë për veprimin ekryer ndaj dëmtuarit-gazetarit V.S. për shkak të shprehjes së mendimit të lirë përmes rrjeteve sociale”, thuhet në komunikatë.