Musliu Shoshi kërkon dorëheqjen e Gërvallës: Është burim i pashtershëm i skandaleve
Deputetja e PDK, Ariana Musliu Shoshi përmes një postimi në facebook ka shkruar se ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka keqpërdorur pozitën si ministre e MPJD-së, asistenten e saj dhe vulën shtetërore për t’ia lëshuar vajzës një certifikatë të praktikës për nevoja të shkollimit në Gjermani.
Musliu Shoshi ka shkruar se nëse se një skandal i tillë do të ndodhte në Gjermani, aty ku ajo është rritur, mbrëmja nuk do e zinte më si ministre. Ndërsa, në Kosovë, ministrja Gërvalla edhe po tallet me përgjegjësinë publike dhe llogaridhënien para qytetarëve.
Postimi i plotë:
Donika Gërvalla e paska keqpërdorur pozitën si ministre e MPJD-së, asistenten e saj dhe vulën shtetërore për t’ia lëshuar vajzës një certifikatë të praktikës për nevoja të shkollimit në Gjermani. Ndërsa, reagimin për këto abuzime institucionale e kishte sikur të ndonjë tekanjozeje dhe jo të një zëvendëskryeministreje apo ministreje të përgjegjshme.
Nëse një skandal i tillë do të ndodhte në Gjermani, aty ku ajo është rritur, mbrëmja nuk do e zinte më si ministre. Ndërsa, në Kosovë, ministrja Gërvalla edhe po tallet me përgjegjësinë publike dhe llogaridhënien para qytetarëve.
Çdo ditë po iu qepon diplomatëve, duke e rrënuar politikën e jashtme të ndërtuar me shumë sakrificë plot 14 vjet shtet. Ndërsa, publikimet e skandaleve të saj, po i kategorizon si “qepime” mediale.
Si një deputete e opozitës do të duhej të isha e lumtur që një ministre si Donika Gërvalla është në krye të MPJD-së, pasi që është burim i pashtershëm i skandaleve. Por, nuk jam, sepse e ndjej thellësisht përgjegjësinë institucionale dhe ia dua të mirën shtetin tim, prandaj ministrja Gërvalla duhet të lëshojë rrugë dhe ta lirojë vetë pozitën që po e mban, pasi që nuk është për këtë punë!