Mobilizimi i UÇK-së që ndodhi para 24 vjetësh
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pikërisht më 31 mars 1999, vendosi për një mobilizim të përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.
Ne po ua sjellim urdhrin e asaj kohe për mobilizim:
Për t’iu përgjigjur më mirë zhvillimeve të kohëve të fundit, si rezultat i veprimtarisë ofensive të forcave serbe dhe për mundësinë e kryerjes më intensive të detyrave luftarake për çlirimin e Kosovës, në zbatim të Urdhrit Nr. 151, datë 31.03.1999, „Për mobilizimin e përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe për çlirimin e Kosovës”.
Urdhëroj:
Mobilizimi e përgjithshëm në Kosovë e jashtë saj për të gjithë popullin e Kosovës për kompletimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të fillojë më datën 01.04.1999 dhe të vazhdojë në proces.
Të detyruar për t’u lajmëruar për në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë moshat nga 18-50 vjeç. Lajmërimi për regjistrim prej datës 01.04.1999 deri më 30.04.1999.
Të gjithë kuadrot ushtarake të lajmërohen për të marrë detyrat në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga data 01. deri më 25 prill 1999. Çdo kuadër i inkuadruar i ri, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të marrë urdhrin përkatës të emërimit në detyrën funksional nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe komandantët e njësiteve ushtarake, të marrin në dorë evidentimin e të gjithë të detyruarve për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të mbahen evidenca të sakta e të plota.