Kosova në rrezik të humbë mbështetjen ndërkombëtare dhe kthimin e Serbisë në Veri.-Shkruan; Hisen BERISHA,Deputetë nga radhët e PDK-së.
Mbyllja e strukturave paralele është një vendim i drejtë dhe i duhur. Ju kujtoj se që nga viti 2014, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës, strukturat paralele kishin filluar të shpërbëheshin dhe gradualisht po shuheshin plotësisht. Megjithatë, ndryshimet që ndodhën në politikë pas vitit 2014 dhe mungesa e drejtimit të qeverisë nga PDK-ja ndaluan këtë proces. Përfundimisht, shpërbërja e tyre u ndal më 6 tetor 2019, kur Vetëvendosje erdhi në pushtet. Kjo ka bërë që Kosova të humbasë gati pesë vite, jo vetëm në planin ekonomik, politik, zhvillimor dhe të sigurisë, por edhe në integrimin e komunitetit serb në veri të Kosovës.
Në këtë rast, veprimi i qeverisë dhe i organeve të sigurisë është i drejtë, por metodologjia është e gabuar. Ne kemi krijuar shtetin dhe kemi forcuar pavarësinë me ndihmën e aleatëve tanë, duke i dhënë zgjidhje të përhershme problemeve në Kosovë. Kjo falë udhëheqjes së një lideri të madh si Hashim Thaçi, i cili në të gjithë procesin e pavarësimit dhe ndërtimit të shtetit në Kosovë, arriti të përdorë diplomacinë dhe të fitojë mbështetjen e plotë të aleatëve. Prandaj, suksesi ishte i garantuar.
Në të kundërt, sot kemi një qeveri dhe një kryeministër populist që përdor çështjen e shtrirjes së sovranitetit për arsye elektorale, duke humbur mbështetjen e aleatëve dhe duke mos ofruar zgjidhje të përhershme.
Kështu, Kurti po realizon projektin serb! Veprimet pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë do të izolojnë urën dhe do të lejojnë kthimin e Serbisë në veri.
Kur flas për zgjidhje të përhershme, nënkuptoj se serbët lokalë nuk po arrijnë të bëhen qytetarë lojalë të Kosovës, dhe kjo po krijon një lloj konflikti të ngrirë në veri. Edhe pse nuk ka kushte për të krijuar as status quo as konflikt të ngrirë, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe ka të drejtë të ushtrojë sovranitetin e saj në të gjithë territorin, kjo qasje po i humb Kosovës mundësinë e zhvillimit dhe integrimit, si dhe mbështetjen e domosdoshme të aleatëve.
Deklarata e kryeministrit Kurti për vizitën e presidentit Macron ishte çuditërisht e përmbajtur. Duhet të kemi qasje shtetërore diplomatike; Franca është shtet sovran dhe ndërton marrëdhënie me shtete të tjera në përputhje me interesat e saj. Për ne, Franca është një shtet mik dhe aleat, që njeh sovranitetin tonë dhe na ofron mbështetje të plotë.
Kur them “çuditërisht e përmbajtur”, e kam fjalën për faktin se kryeministri Kurti jo rrallëherë ka përdorur “ushtrinë e tij digjitale” të analfabetëve funksionalë për të demonizuar dhe keqinterpretuar deklaratat e miqve tanë.
Për shembull, deklarata e presidentit Macron se Franca mbështet sovranitetin e Serbisë duhet kuptuar si mbështetje për sovranitetin e Serbisë brenda kufijve të saj pas viteve 1999-2008, dhe jo për sovranitetin që pretendon Serbia sot.
Deklarata e emisarit gjerman Sarrazin është në funksion të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Në këto marrëveshje, Kosova ka bërë lëshime të dëmshme për sovranitetin dhe strukturën unitariste të shtetit. Tani kemi një detyrim ndërkombëtar për t’i “zbatuar” ato. E vetmja gjë që mund të na shpëtojë nga kjo situatë është nëse Serbia tërhiqet plotësisht nga marrëveshja. Meqenëse Qeveria nuk e ka guximin për të ndërmarrë vendime që t’i sjellë të gjitha marrëveshjet e arritura, me theks të vitit 2023, në kuvend dhe t’i shfuqizojë ato.
Kurse deklarata e Lajçakut është një paralajmërim i keq për Kosovën, sepse vendi do të mbetet i pazhvilluar, me eksod masiv dhe i paintegruar në Evropë. E gjithë kjo ndodh për shkak të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, të cilët, me revolucionin e “shamijave të kuqe” dhe veprimet anti-shtet, na i humbën shanset për ta mbyllur një herë e përgjithmonë konfliktin me Serbinë në vitet 2015-2016, duke e sjellë Kosovën në një pozicion të palakmueshëm.
Komentet e bëra nga liderët ndërkombëtarë, përfshirë Scholz dhe Macron, janë inkurajim për Serbinë që të vazhdojë pandryshueshëm me qëndrimet në raport me Kosovën.
Ashtu siç po vërehet në gjuhën e diplomatit amerikan në Kosovë dhe në qëndrimet e SHBA-së në çdo nivel dhe të NATO-s, të transmetuara përmes Shefit të Inteligjencës Amerikane dhe Zëvendëssekretarit të Aleancës Veriatlantike, është një shenjë e qartë se durimi i partnerëve ndërkombëtarë po mbaron.
Por deklarata e Macron për mbështetjen e Serbisë në “ruajtjen e sovranitetit” është tejet alarmuese për faktin se sovraniteti i një shteti është kategori kushtetuese dhe ngre pyetje serioze rreth asaj se në cilët kufij integral duhet ta ruajë sovranitetin politik Serbia; Ato kushtetues të Serbisë, me Kosovën pjesë të saj, dhe pa detyrimin as ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe as ta ndryshojë kushtetutën e saj për 10 vite, sipas marrëveshjes së Brukselit alias Planit Franko-Gjerman?! Apo do të konsiderohet realiteti i ri i Kosovës shtet i pavarur e sovran i njohur ndërkombëtarisht në kufijtë e saj (ende të paratifikuar ndërkombëtarisht), por që e ka ndryshuar hartën e Ballkanit Perëndimor. Pra, cilat janë qëllimet e vërteta të Francës dhe BE-së në rajon?!
Kur ne, si parti politike në qeverisje, pra PDK, ishim duke ndërtuar shtetin, erdhi kjo mortajë politike, LVV, dhe përmes politikave të pakoordinuara me aleatët, e ngriti dhe e favorizoi Serbinë. Pasojat nga politika e Albinit janë të dëmshme dhe do t’i vuajmë gjatë si popull e si shtet.
Ky kryeministër e ndali procesin e shtetformimit dhe i bëri moratorium proceseve politike duke i falur të gjitha në emër të reformatimit të dialogut dhe marrëveshjeve të mëparshme. Pra, me kaq ndali edhe Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit të qëndrueshëm.
E në tërë këtë fjalor kontekstual diplomatik, Macron u kujdes që edhe më tej të mbajë kursin përkëdhelës diplomatik evropian ndaj Serbisë. Siç u deklarua: “Ne kemi ndarë qëndrimin me partnerët tanë evropianë se sa të shqetësuar jemi për lëvizjet e fundit të njëanshme të Kosovës, të cilat nuk dërgojnë sinjal të mirë”, duke e adresuar presionin prapë te Kosova, mu për shkak se këta qeveritarë nuk po e kuptojnë se duhet hequr dorë nga njëfarë vetëmburrje nacionaliste, që ua jep deficiti në patriotizëm, meqë në ditën D për kombin dhe Kosovën, nuk u rreshtuan në anën e sakrificës e lavdisë.
Por, shtatori do të sjellë një aktivizëm më të madh të opozitës dhe shumë shpejt do të kemi zgjedhje të parakohshme, sepse partnerët ndërkombëtarë dhe populli nuk do të lejojnë më që Vetëvendosje dhe ky kryeministër t’i rrezikojnë arritjet e deritashme dhe që Kosova të mos zhvillohet në të gjitha fushat e interesit nacional dhe shtetëror./www.QendraPress.com/