Bytyqi e AAK-së kërkon të hiqen afatet për aplikim dhe të zgjidhet çështja e pensionit të dyfishtë për të mbijetuarit e dhunës

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, gjatë fjalimit të mbajtur në Kuvend, ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës.
Ajo theksoi se dhuna e ushtruar ndaj grave dhe burrave të mbijetuar ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme të regjimit serb, me qëllim që të thyhej dinjiteti i popullit shqiptar.
“Sot po flasim për plagë që nuk shihen, por që e mbajnë mbi supe historinë e një shteti të tërë. Sot ju drejtohemi juve, grave dhe burrave që i keni mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo që keni përjetuar është një e vërtetë që duhet thënë, ngase ajo që ju ndodhi nuk ishte rastësi, por një strategji e qëllimshme, e përdorur si armë nga regjimi serb për të poshtëruar dhe thyer dinjitetin e popullit tonë. Dhe për shumë vite, të dashur vëllezër e motra, jetuat me heshtje. Heshtje që nuk ishte zgjedhje, por detyrim. Heshtje që u imponua nga frika, nga stigma dhe nga mungesa e mbështetjes. Dhe kjo heshtje, për shumë prej jush, ishte vazhdim i dhimbjes”, tha Bytyqi e AAK-së.
“Megjithatë, një kthesë e rëndësishme ndodhi pikërisht gjatë qeverisjes Haradinaj, me angazhimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Atëherë kjo çështje u trajtua për herë të parë me seriozitetin që meriton, jo vetëm si një obligim politik, por si një detyrim moral dhe kombëtar. Gjatë asaj periudhe u ndërmorën hapa konkretë, të matshëm dhe historikë. U njoh statusi i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, u vendos mbështetja financiare si shenjë e njohjes dhe respektit institucional, dhe për herë të parë u ndërtua një komunikim i drejtpërdrejtë me ta, duke i përfshirë në vendimmarrje”, tha ajo.
Ajo kërkoi të hiqen afatet për aplikim, të zgjidhet me ligj çështja e pensionit të dyfishtë për të mbijetuarit e luftës dhe të rritet presioni institucional për ndjekjen e autorëve të këtyre krimeve.
“Ende funksionojmë me afate për aplikim për njohje të statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Ende ka të mbijetuar që detyrohen të luftojnë individualisht për të drejtat e tyre, përfshirë edhe çështjen e pensionit të dyfishtë. Dhe mbi të gjitha, ende kemi mungesë të drejtësisë për autorët e këtyre krimeve. Kjo nuk është vetëm mungesë progresi. Kjo është padrejtësi që vazhdon. Sepse padrejtësia për këto krime nuk është vetëm çështje ligjore, është çështje dinjiteti njerëzor, është çështje e besimit që qytetarët kanë në shtetin e tyre. Dhe pa këtë drejtësi, plagët mbeten të hapura. Prandaj nga kjo foltore ne kërkojmë qartë dhe pa kompromis: të hiqen përfundimisht afatet për aplikim, sepse trauma nuk njeh kalendar institucional. Të zgjidhet me ligj dhe përfundimisht çështja e pensionit të dyfishtë për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës Dhe të rritet presioni institucional dhe ndërkombëtar për ndjekjen penale të autorëve të këtyre krimeve”, tha ajo.