Çaste poetike  me poeten;-Adelina Dardha HASKAJ

Edhe pak,

—————-

dhe do gjesh terren të mjaftueshëm

në medyshjen tënde.

Këmba, dora, mendimi yt

do të zënë vend,

beson në çeljet dhe ardhjet e agimeve,

ndryshe nga ngërdheshjet

dhe tulatjet.

Ti bën para,

hedh hapa të sigurt

për t’ia dalë ..

fundja, ç’të mbeti tjetër

për të bërë

në përditshmërinë tënde?

Ti lëviz kur shkreptimat godasin,

gjakosesh për t’ia dalë

plagëve të fashuara me dritë.

Kështu je ti:

e plotë për të mos mbetur

gjysmë në një gotë të boshatisur,

e zemëruar për mos­përfilljen

që i bën mallit,

kur brendia jote zien

si asfalti i zi

në një ditë gushti,

dhe në kalendar mungojnë

fletët e vjeshtës ..

asaj vjeshte

që s’e pe kurrë

me ngjyra.

/QendraPress/