Çitaku – Kurtit: Kontributi i vetëm i juaj në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës në Kuvend

                        Ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, aktualisht nënkryetare e PDK-së, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi tha se pas një pune të gjatë posaçërisht këto dy vitet e fundit, qytetarët e Kosovës më në fund do të lëvizin pa viza.Në një shkrim në Facebook, Çitaku tha se kontributi i vetëm i Kurtit në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës në parlamentin e Republikës dhe kauzat e rreme rreth demarkacionit.“Ju dhe LVV nuk e keni votuar as pakon ligjore që i ka paraprirë këtij procesi. Njëjtë nuk e keni votuar as MSA-në”, u shpreh ajo.

Tutje tregoi se Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin për liberalizimin e vizave shumë vite para se Vetëvendosje të vinte në pushtet.“Mos i fyeni qindra shërbyes civil të cilët kanë punuar me shumë zell e përkushtim”, shkroi Çitaku. Ndryshe, të enjten ka filluar fushata informuese lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.Për të udhëtuar pa vizë, kërkohen dokumente të rëndësishme si pasaportë biometrike, dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, rezervimin e vendit të qëndrimit, detajet e udhëtimit, dokumentet për veturën nëse udhëtoni me të, dhe dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare.

“Kujdes, megjithatë, liberalizimi i vizave nuk ju mundëson të punoni, të ndiqni shkollimin, ose të kryeni studime në zonën Shengen.Shkeljet e rregullave apo abuzimi i kësaj të drejte mund të sjellin pasoja të rënda, duke përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vite.Përdorni këtë informacion për të udhëtuar me sukses dhe pa vështirësi!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/