Dënimet ndaj zyrtarëve të lartë “qesharake”, rastet po zvarriten deri në 10 vjet

                     Sistemi i drejtësisë në vend po konsiderohet se ka dështuar sa i përket shqiptimit të dënimeve të zyrtarëve të lartë publik, të akuzuar për krim e korrupsion. Njohës të fushës vlerësojnë se gjykatat po shqiptojnë dënime “qesharake” përkatësisht dënime me gjobë dhe me kusht, madje rastet po zvarriten deri në 10 vjet,  Ylli Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se edhe prokuroria ka dështuar për të bërë hetime të mirëfillta.Sipas tij, dënimet ndaj zyrtarëve të lartë janë pothuajse të njëjta me ato për kundërvajtje e në raste të rralla me burg efektiv.

Ai ka shtuar se Gjykata Supreme ka një shkallë më të mirë të performancës për shkak të një numri më të vogël të rasteve me të cilat përballet.Sipas tij, në Themelore dhe Apel proceset mund të zgjasin deri në 10 vjet, duke e cilësuar këtë joefiaksitet të sistemit të drejtësisë.

Edhe avokati Kushtrim Hodaj ka thënë se Gjykata e Apelit dhe Supremja marrin vendime më shpejtë krahasuar me Themeloren.

Hodaj, ka vlerësuar se ka mungesë të profesionalizimit te një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.  Ai ka pohuar se ka numër të madh të rasteve që janë kthyer në rigjykim, duke kërkuar që Apeli e Supremja në shumë raste mund të vendosin edhe vet,

“Rasti kthehen në rigjykim disa herë për shkak se shkallët e mëhershme, Gjykata Themelore apo Apeli nuk kanë vendosur në mënyrë meritore, nuk i kanë zbatuar drejtë të drejtën materiale, pra nuk kanë vendosur ashtu siç kërkon ligji. Po kjo mendojë që është shkallë që Gjykata Supreme dhe e Apelit do të duhej shpesh herë që të vendosin vetë, mos t’i kthejnë rastet gjithmonë në rigjykim sepse kanë të drejtë të rivendosin, sepse në këto raste po merr shumë kohë, po rifillon procedura prej fillimit pastaj po bëhet njëfarë rrethi vicioz pa përfundim”.