Diskriminimi ndaj veteranëve të UÇK-së: Kur gjejnë punë në Kosovë iu ndalet pensioni, nëse punojnë ‘jashtë’ marrin pagën edhe pensionin

                         Veteranët e luftës së UÇK-së konsiderojnë se po diskriminohen jo vetëm duke tentuar që të largohen nga ligji i cili u garanton se pensioni i tyre të jetë jo më i vogël se paga minimale, por edhe duke iu mohuar e drejta e pensionit, nëse ata arrijnë të gjejnë një punë nga e cila sigurojnë të ardhura.Jo të gjithë veteranët e UÇK-së e gëzojnë të drejtën për të marrë pension. Ata të cilët veçse punojnë në Kosovë dhe marrin një pagë për punën që bëjnë, në atë moment u ndalet pensioni, por këtu nuk përfshihen veteranët të cilët jetojnë jashtë Kosovës, përjashtuar Shqipërinë.Veteranët e UÇK-së të cilët ka vite që kanë emigruar jashtë vendit, përveç pagës që marrin në shtetin ku jetojnë dhe punojnë, ata gëzojnë edhe pensionin e veteranit në Kosovë prej 170 euro, gjë e cila u pamundësohet atyre që punojnë në Kosovë.Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, e ka quajtur diskriminim një gjë të tillë për ata veteranë të cilët punojnë në Kosovë dhe u ndalet pensioni.Qeriqi gjithashtu u shpreh se kanë kërkuar si Këshill disa herë që këta veteranë që janë të punësuar të marrin 50% të pensionit, por nuk është pranuar kjo kërkesë e tyre nga Qeveria.

“Ata që janë në Perëndim janë duke e gëzuar të drejtën e plotë të veteranit, ata vazhdojnë e marrin pensionin. Ky është diskrimin për ata që punojnë këtu, e kemi theksu disa herë nëpër takime, edhe me kryeministrin. Kemi kërkuar që 50% të pensionit ta marrë, por s’është bërë”, tha fillimisht Qeriqi.Tutje ai shtoi se në takimet që kanë zhvilluar gjithmonë kanë gjetur arsyetimin në mungesën e buxhetit, kështu duke i lënë anash ata që janë në punë në Kosovë. “Është vërejtje që e kemi bërë, por këta janë arsyetuar që përgjegjësia është mungesa e buxhetit, dhe i kanë lënë anash luftëtarët të cilët janë në punë, e që për neve ka qenë e prapranueshme”, tha Xhevdet Qeriqi.Në anën tjetër, Faton Klinaku, Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, tha se veteranët e Shqipërisë i kanë larguar dhe ata nuk marrin pension, vetëm nëse një gjë e tillë bëhet në mënyrë të fshehtë.“Departamenti i ka larguar këdo që i ka zënë, edhe ata që janë jashtë Kosovës, për shembull të Shqipërisë. Veç kur nuk i zëjnë, se jo ata nuk e marrin pensionin, pra të Shqipërisë i kanë hequr nga lista”, tha Klinaku për Gazetën Online Reporteri.net.Ndërsa, Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhevdet Jashari për Gazetën Online Reporteri.net thotë se pensioni i takon veteranit, qyshdo qoftë ai, i punësuar apo jo.

“Ne nuk e kemi ndarë veteranët në i punësuar dhe i papunësuar. Benefiti i takon veteranit qyshdoqoftë. Por me urdhëresë administrative i ndalohet pensioni. Kemi kerkuar që kjo pikë te ndryshohet, pra që mos t’i ndalohet, por ta gëzoj atë, pasi Ligji për Kategorinë e Luftës është i ndarë, s’ka të bëjë me asnjë kategori tjetër”, tha Xhavit Jashari./Reporteri.net/