Dita e Presidentit, kush e uroi Ibrahim Rugovën e kush Hashim Thaçin
Shënimi i Ditës së Presidentit ka gjetur përsëri të ndarë në vija të trasha liderët e partive politike. Disa për inate personale, e të tjerët për arsye historike, kanë zgjedhur të mos përmendin ndonjërin nga ish-Presidentët e shtetit të ri të Kosovës.Ata që njihen si “rugovistë” e që janë anëtarë të LDK-së apo ish-anëtarë, kanë zgjedhur të kujtojnë vetëm ish-presidentin, Ibrahim Rugova. Ndërkohë anëtarë të PDK-së kanë uruar ish-presidentin, Hashim Thaçi. Të dy palët pretendojnë se ish-presidenti i tyre është “lider i proceseve” Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka zgjedhur të quajë Rugovën “arkitekt të pavarësisë” teksa ka bërë homazhe tek statuja e tij afër Presidencës së Kosovës. Osmani ka qenë në të kaluarën pjesë e LDK-së. Osmani ka shtuar edhe se kjo ditë i “kushtohet atij”. Ajo nuk e ka përmendur fare ish-presidentin Thaçi. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pasur dy vajzat e tij në zyrë për nder të kësaj dite. Ai ka thënë se Rugova “është udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme” dhe ka nderuar atë dhe atë që ai e quan “gjenerata e artë politike”. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nuk ka shkruar ende për këtë ditë e as nënkryetarët e këtij subjekti. Por deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka shkruar për Thaçin. Ai ka thënë se Thaçi ishte person i të gjitha proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Ai ka shtuar se askush nuk e meriton të përmendet më shumë në këtë ditë se sa Thaçi. Nga krerët e AAK-së e VV-së nuk ka pasur urime me postime rreth kësaj dite. Ndërkohë, vlen të përmendet se askush nuk e ka kujtuar Atifete Jahjagën, presidenten që shërbeu një mandat të plotë si presidente e Kosovës./express