Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Anila TOTO
Gratë serioze
————————-
Gratë serioze mbajnë një dhimbje që i ka plakur
Një dëshirë që vdiq e u ngjit lart në qiell
Një lëndim që kurrë nuk e kanë shfaqur
Edhe kurajon për të mos falur lehtë.
Gratë serioze kanë një forcë të çuditshme
Dedikohen dhe mohojnë gjithçka nga vetja
Mundet të të japin edhe trupin e shpirtin
Edhe prapë të mbeten të shenjta.
Gratë serioze projektojnë gjëra madhore
Rrisin fëmijët dhe luftojnë për ideale
Nuk qajnë e ankohen, vështirë të jenë fajtore
Nuk ndihen kurrë rivale.
Gratë serioze nuk tremben as nga vetja
Nuk lyhen e nuk u ikën kurrë moda
Vishen thjeshtë ose me rroba të shtrenjta,
Por ngrihen të larta si ikona.
Anila Toto /www.qendrapress.com