Fundjava e parë pa kufi Kosovë-Shqipëri, qytetarët: Jemi një komb, s’duhet të ketë kurrë kontrolle

Që prej 1 majit, kalimet mes Kosovës dhe Shqipërisë bëhen pa kontrolle kufitare.

Në pikëkalimin në Morinë, policia kufitare shqiptare nuk kërkon dokumente identifikimi për qytetarët që duan të hyjnë në territorin e Shqipërisë.

Vendimi për kalimin e kufirit në këtë mënyrë u zgjat nga tre në nëntë muaj të vitit për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve të të dyja vendeve.

Një gjë e tillë është mirëpritur nga udhëtarët shqiptarë nga Kosova që vizitojnë Shqipërinë.

“Tani përderisa jemi një komb dhe themi se jemi një komb e jemi shqiptarë, do të duhej që të hiqeshin gjithmonë këto kontrolle se vetëm na i heqë kolonat”.

“Ky është një lehtësim i madh si për Kosovën edhe për Shqipërinë”, u shprehën disa prej tyre.