Gjykimi në rastin “Abi Çarshia“, vazhdon dhënia e mbrojtjes nga ana e të akuzuarave

                      Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, është vazhduar mbrojtja e të akuzuarës Egzona Morina Thaçi, ish-inspektore e ndërtimit në Prizren, ku po akuzohet së bashku me pesë të tjerë lidhur me rrënimin e objekt aneksit shtesë të “Abi Çarshisë”, në Prizren. Egzonë Morina-Thaçi së bashku me Islam Thaqin, Jetmire Vrenezin, Arian Tarakun, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqin, akuzohen për korrupsion në rastin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshisë”, raporton “Betimi për Drejtësi”. E akuzuara Egzona Morina Thaçi, duke vazhduar mbrojtjen e saj tha se jo vetëm ditën kur e ka dhënë deklaratën në Prokurori por edhe në takimet e shumta që i kanë pasur për sa i përket lëndës së “Abi Çarshisë”, kishte qenë kategorikisht që personat që nuk kanë përgjegjësi ndaj lëndës, të mos marrin përgjegjësi ashtu sikurse ne bartësit e lëndës. Shtoi se e njëjta ka vlejtur edhe më datën 19 korrik 2019 ku bashkëpunëtoret teknik Isë Bislimaj dhe Arian Taraku, e gjithashtu edhe për të akuzuarin tjetër Shqipëron Krasniqi për të cilën atë ditë kishte thënë se si është e mundur që ai të vjen në ditën e ekzekutimit si përfaqësues ligjor i Komunës për të dhënë këshilla juridike pa qenë farë i njohur me mbarëvajtjen e lëndës e që për këto të lartpërmendurit ka kërkuar që të lirohen nga ekzekutimi ose të mos bartin përgjegjësi ligjore. Ajo shtoi se vazhdimisht nga Drejtori i Inspektoriateve Islam Thaqi sa herë janë mbajtur takime për lëndën e Abi Çarshisë kishte kërkuar që të mos ngutemi në asnjë hap me procedura ligjore dhe që së pari të marrin sqarime për dispozitat ligjore nga përfaqësuesit e Komunës së Prizrenit e që në rast të mos marrjes së ndonjë përgjigje nga ta, t’i drejtohet edhe Kryetarit të Komunës. Ajo shtoi se si inspektore kishte filluar punën në vitin 2018 dhe se lëndën e “Abi Çarshisë” kur e kishte marr e kishte gjetur në fazat  e ndërtimit të vrazhdë të përfunduar, një pjesë e objektit ka pasur të finalizuar edhe instalimet elektrike, të ujërave dhe suvatimeve, ndërsa në pjesën e tejkaluar nga leja ndërtimore ka qenë vetëm pjesa e ndërtimit të vrazhdë pa suvatim. Ajo shtoi se për shkak të ndjeshmërisë së lëndës dhe vendimeve të cilat i kanë atakuar proceduat e tyre, ku ka qenë edhe një vendim i MMPH-së dhe shkaku i kësaj, vazhdimi i secilës procedurë ligjore nga ana e saj ka qenë e ngadalshme në të gjitha hapat ligjore për shkak se nuk ka dashur që të bëj shkelje që e dërgon në përgjegjësi dhe në fund tha nuk ka pasur qellim keqdashës në rastin në fjalë.Të pandehurit Isë Bislimaj dhe Arian Taraku deklaruan se dëshirojnë që të shfrytëzojnë të drejtat e tyre ligjore dhe të mbrohen në heshtje.Ndërsa po ashtu në seancën e sotme dha mbrojtjen e tij i akuzuari Shqipëron Krasniqi i cili deklaroi se i qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori dhe tha se në Komunën e Prizrenit kishte filluar punë më 13.08.2019 me kontratë me vepër në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Komunës ku ka pasur për kompetencë të mbroj interesin e Komunës.Ai tha se lidhur më lëndën e “Abi Çarshisë” nuk ishte i angazhuar në asnjë veprim dhe se ditën e daljes në terren kishte dal pasi që përfaqësuesi ligjor i Komunës, Arben Krasniqi e kishte informuar se duhet që të asistoj në terren në një lëndë pasi që ashtu ka kërkuar Drejtori i Inspektoriateve Islam Thaqi dhe se atë ditë i kishte dërguar investitorit njoftimin mbi refuzimin e kërkesës për fillimin e procedurës së legalizimit nga  Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor dhe se këtë vendim ia kishte dorëzuar palës dhe avokatit të tyre.Pasi që kishte përfunduar orari i punës së gjykatë, seanca e sotme është ndërprerë dhe e njëjta do të vazhdoj më 8 prill 2022 , ku do të vazhdohet me dhënien e mbrojtjes së të akuzuarit Shqipëron Krasniqi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut, Isë Bislimajt dhe Shqipëron Krasniqit, të cilët po i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.Në aktakuzë thuhet se më 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj “Abi” SHPK në Prizren.Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.Sipas prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.                                              Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e729 euro.Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi