Haradinaj në Pentagon takon drejtorin për Evropë dhe politika të NATO-s, flet për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ndodhet për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjersa bën të ditur se në Pentagon është takuar me Alton Buland, drejtor kryesor për Evropë dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes.

Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se gjatë takimit me Buland kërkoi që në rrafshin e bashkëpunimit Kosovë-ShBA të ngritet dialogu strategjik për çështje bilaterale mes dy vendeve, në të njëjtën kohë të ndodh anëtarësimi i Kosovës në NATO.

Nder i madh të vizitoj prapë Pentagonin dhe të takohem me z. Alton V. Buland, Drejtor Kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes.

Shfrytëzova rastin ta falënderoj z. Buland për angazhimin e madh që Ushtria dhe Qeveria Amerikane e ka tash e 25 vite në mbështetje të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, në veçanti në ndihmën që i kanë dhënë forcimit të Ushtrisë së Kosovës.

Gjatë takimit me z. Buland kërkova që në rrafshin e bashkëpunimit Kosovë-ShBA të ngritet dialogu strategjik për çështje bilaterale mes dy vendeve, në të njëjtën kohë të ndodh anëtarësimi i Kosovës në NATO. Tash që jemi 25 vjet pas intervenimit të kësaj organizate të rëndësishme, ky do të ishte hapi i duhur i cili e ndihmon edhe sigurinë e brendshme, njëkohësisht stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Kosova dhe Ushtria e saj është gati të jetë anëtare në krah me Amerikën dhe shtetet tjera që janë pjesë përbërëse e Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s..

Edhe në takimin me Escobar, Haradinaj ka kërkuar që të ngritet niveli i marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë, me anëtarësimin me hapa të përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO. /Telegrafi/