Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Simir Krasniqi, priti  përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak të Elbasanit.

    Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Simir Krasniqi,  dje , ka pritur  përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, të udhëhequr nga Lutfi Lala, kryetar i këtij Këshilli, ku ishte i pranishëm edhe Sotiraq Hroni nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës studimore të Këshillit Bashkiak të Elbasanit në Kosovë, e realizuar përmes projektit “Bashki të Forta”, të mbështetur nga SDC-ja dhe Qeveria e Suedisë.

Vizita kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në funksionimin e kuvendeve lokale, me fokus në komisionet komunale, konsultimet publike dhe mbikëqyrjen e ekzekutivit.

Gjatë bisedës u theksua rëndësia e forcimit të llogaridhënies, transparencës dhe pjesëmarrjes qytetare, si elemente kyçe për qeverisje lokale më efikase.