Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë se pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, do të shqyrtohen hapat e ardhshëm dhe mundësitë institucionale për veprim

Shaqir Totaj, para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, tha se bëhet fjalë për një moment të ndjeshëm që, sipas tij, mund të ndikojë edhe në të ardhmen e shtetit të Kosovës.Ai tha se në mbledhje do të diskutohet edhe për rrugët institucionale dhe mundësinë e apelimit të vendimit, ndërsa ka kërkuar që Qeveria të angazhohet më shumë për këtë çështje.“Do t’i bisedojmë e do t’i diskutojmë. Rrugët institucionale, marrja me çështjen e apelimit të këtij vendimi, edhe sinqerisht me shpresë se qeveria do t’i hapë sytë, do të përballet me realitetin edhe do të japë një kontribut më serioz, sepse e dimë qysh janë zgjedhjet, e dimë që i ka ndalë fondet e mbrojtjes, edhe ajo mund të ketë qenë një element rëndues për këtë vendim që është marrë”, tha ai. “Nuk e di, unë nuk kam informacione që ka një nismë të tillë ose është përmendë (zhbërja e Gjykatës), por tash në mbledhje bashkë me grupin parlamentar do të vlerësojmë edhe do të shohim se sa ajo është e mundur, sepse me sa kam informacione duhen edhe votat e komuniteteve jo shumicë, prandaj në qoftë se ka pengesa të kësaj natyre, e dimë që është e pamundshme, ndoshta edhe nuk ia vlen me u marrë me këtë temë. Mirëpo si opsion do të bisedojmë e do të diskutojmë”, tha ai.