Kryetari Shaqir Totaj priti sot në Prizren një delegacion të veçantë nga Washington, D.C.,

Kryetari Shaqir Totaj priti sot në Prizren një delegacion të veçantë nga Washington, D.C., të udhëhequr nga Dr. Faton Bislimi, në kuadër të projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, pjesë e programit zyrtar për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ishte nder i veçantë të mirëprisnim Prof. Daniel Serwer, Prof. Edward P. Joseph, Besa Pinchotti, Major Mario Marquez, filantropin Ramiz Tafilaj dhe miq të tjerë të shquar të Kosovës, të cilët ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara” – u shpreh Kryetari Totaj.
Në këtë ceremoni solemne u shënua fillimi i programit America250, ku Kosova u bë vendi i parë jashtë SHBA-ve që i bashkohet këtij programi, me Prizrenin si qytet mikpritës.
“Kjo ngjarje është dëshmi e miqësisë së pathyeshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, e ndërtuar mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor. Me këtë rast shpreha mirënjohjen e thellë për rolin historik të SHBA-ve në çlirimin, paqen dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke theksuar se kjo miqësi do të mbetet gjithmonë një nga shtyllat më të forta të së ardhmes sonë. Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Kosovën!” – theksoi Kryetari Totaj./QendraPress/

