Kurti paralajmëron masa: Çmimi i vajit në Kosovë aktualisht është më i larti në botë

                                      Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për rritjen e çmimit të vajit, i cili gjatë ditës së sotme ka arritur në 3.49 euro. Kurti ka thënë se po tentohet të manipulohet me çmime teksa tha se në Kosovë ka mjaftueshëm vaj dhe nuk ka nevojë të krijohet panik te qytetarët, shkruan Reporteri.net.Kryeministri paralajmëroi masa për siç tha ata që po tentojnë të përfitojnë nga kjo krizë teksa tha se aktualisht çmimi i vajit në Kosovë është më i larti në botë. “Është lajm se tashmë kemi vaj të papërpunuar që do të përpunohet dhe do të mjaftojë për konsumin për rreth 1 muaj. Aktualisht kërkesa është shumë më e lartë se konsumi. Nuk është as për së afërmi ajo që po paraqitet si kërkesë dhe po bëhet si shitje. Kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursat ndërkombëtare. Në Kosovë kemi edhe rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar që mjafton për një muaj konsum. Po të ishte çmimi 3.50 të mund të thoshim që është e rastësishme, mirëpo ishte tri euro 49 cent. Konsumatorët anembanë po na njoftojnë për çmimin 3.49. Nuk është e rastësishme kjo përputhje anë e mbanë Kosovës. Nuk ka asnjë arsye për një fryrje të tillë. Këto çmime të fryra duhet të çfryhen. Ky çmim ka të bëjë me njerëzit që duan të përfitojnë nga kjo krizë. Do të marrim masa”, tha Kurti. /Reporteri.net