Kurti pas takimit me Hamzën: Për Qeverinë përgjegjësia bie mbi LVV-në, për presidentin duhet bashkëpunim i të gjitha partive

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ka deklaruar se përgjegjësia për formimin e Qeverisë i takon partisë fituese të zgjedhjeve, ndërsa zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunimin e të gjitha forcave politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend.

Pas takimit konsultativ me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, Kurti tha se biseda u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe me vullnet për t’i dhënë vendit institucionet e reja.

“Me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, u takuam së pari në këtë raund të këtyre takimeve, meqenëse është subjekti i dytë nga partitë fituese në këto zgjedhje. E falënderoj kryetarin Hamza. Ishte një takim konstruktiv që kaloi në atmosferë të vullnetit dhe interesimit për t’i dhënë vendit institucione të reja në përputhje me vullnetin e popullit”, deklaroi Kurti, përcjell Telegrafi.

Ai tha se takimi nuk ka prodhuar ende ndonjë marrëveshje konkrete, por e vlerësoi si një hap të rëndësishëm në procesin e konsultimeve.