M. Krasniqi ;Kryeministri Kurti nuk ka pse të fshihet prapa seancës së Kuvendit!

                       Qëndrimi i Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë është i drejtë. Partia Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera opozitare i kanë shprehur qëndrimet e tyre që janë në linjë me qëndrimin e Qeverisë. Andaj, çfarë arsye ka që të mbledhjet Kuvendi për të diskutuar më shumë për këtë temë? Për t’ia rishprehur këto qëndrime njëri-tjetrit? Apo për të gjuajtur përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi?

Nëse ky është qëllimi, atëherë Kryeministri po frikësohet. Sepse, kompetenca dhe autoriteti është i Qeverisë për të vendosur moslejimin e referendumit dhe për ta zbatuar atë vendim. Pse pra kërkon Kryeministri seancë, nëse ligjërisht kjo është e panevojshme?

Referendumi i Serbisë në Kosovë do të ishte antikushtetues dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk duhet lejuar. Por, Kushtetutën e ruajnë instrumentet e pushtetit ekzekutiv e jo Rezolutat e Kuvendit, që nuk janë obligative as për Qeverinë.

Prandaj, PDK sot nuk merr pjesë në seancë, sepse nuk duam që të bëhemi pjesë e ikjes së Kryeministrit nga përgjegjësia e tij ligjore e kushtetuese e as pjesë e shout të tij politik të paramenduar. Krejt çka duhet të bëjë Kryeministri është që të mos tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të sigurojë zbatimin e vendimit për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai për këto veprime e ka mbështetjen edhe të partive opozitare, andaj nuk ka nevojë të fshihet pas seancës së sotme të Kuvendit./qendrapress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published.