Masakra e Burgut të Dubravës: Prokuroria Speciale e ka hetuar rastin, së shpejti aktakuza

                             Së shpejti do të ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarve për masakrën e Dubravës. Këtë e konfirmoi prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina.Ai tha se hetimet për këtë masakër tashmë kanë përfunduar. “Kemi arrestuar një të dyshuar për masakrën e Dubravës, hetimet janë duke u zhvilluar që një kohë të gjatë. Ne, veç kemi përfunduar hetimet në këtë rast dhe jemi në fazën e vlerësimit të provave për mundësinë që brenda javësh, për të mos thënë muajsh, të ngrejmë një aktakuzë në këtë rast”, tha Morina për RTK-në.Prokurori Morina, përmendi pengesën kryesore në lidhje me këto hetime. Pikërisht mungesa e bashkëpunimit me shtetin serb, del të jetë një prej pengesave, që do t’a zbardhnin të vërtetën këtij krimi, e të tjera. “Fatkeqësisht ne kemi vetëm mundësinë e parë – mbledhjen e provave në territorin e Kosovës. Me Serbinë mungon bashkëpunimi që fatkeqësisht është pengesë e madhe në punën tonë. Të gjithë të pandehurit janë të arratisur dhe presupozojmë e për disa edhe e dimë se jetojnë në Republikën e Serbisë”, nënvizoi Morina.Ndryshe, Prokuroria Speciale tashmë ka ngritur disa aktakuza, për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Krejt kjo në saje të ndryshimit të ligjit, ku tashmë mundësohet edhe gjykimi në mungesë.I mbijetuari i Masakrës së Dubravës që sfidoi Gjykatën SpecialeDeputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, krahas insititucioneve të drejtësisë, që edhe fizikisht gjinden në Kosovë, tash e një kohë po kërkon nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, të nisë hetimet për Masakrën e Dubravës, ku ai vetë është i mbijetuar.Në një konferencë për media, ai ka “sfiduar” Prokurorinë Speciale, duke thënë se nëse kjo gjykatë nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye për të mos i filluar hetimet. Dugollit tashmë i ka ardhur një letër nga Specialja, të cilën e ndau me publikun. Prokuroria e ka garantuar Dugollin se do ta “shqyrtoj” kërkesën e tij.“Të dashur qytetarë, Dua t’ju informoj se ditë më parë, kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre.” – ka shkruar Dugolli.Tutje deputeti ka shkruar se ky është rasti që Gjykata Speciale ta sqaroj përfundimisht nëse është një etnike ose jo.“Ju falemnderit të gjithëve për mbështetjen tuaj. Mbetem me shpresë se Prokuroria e Specializuar do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së autoriteteve të larta të Serbisë për këto krime monstruoze, si dhe ta shfrytëzojë këtë rast për të sqaruar përfundimisht nëse Gjykata Speciale është, apo s’është, gjykatë një-etnike.”