Prizren: Aktakuzë për katër të dyshuar për disa vepra penale, mes tyre edhe persona zyrtarë

                                      Prokuroria Themelore në Prizren ka ngrehur aktakuzë kundër të pandehurve: N.K., I.F., K.G., dhe të pandehurës A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale: “Fajdeja” , “Detyrimi” “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrimi”.Sipas aktakuzës, i pandehuri N.K., prej marsit të vitit 2018 e deri në ditën e arrestimit, ka pranuar shuma të mëdha parash në këmbim të shërbimit për personin tjetër duke e ditur gjendjen e rëndë financiare të tij.“Në atë mënyrë që fillimisht e ndihmon të dëmtuarin M.B., nga fshati Zhur- Komuna e Prizrenit, që nga ai t’i largojë kanosjet e fajdexhive dhe e ndihmon të njëjtin për të kontaktuar me zyrtarët policorë të krimeve ekonomike. Pasi që të njëjtit fajdexhi procedohen në procedurë penale, kërkon nga i dëmtuari shumën prej 6.000 eurove, si dhe kërkon që i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare, nga ku pas autorizimit muaj për muaj deri në ditën e arrestimit ka tërhequr mjete me ç’ rast e ka dëmtuar të dëmtuarin në shumë prej 63,888.40 euro. Me këto veprime, i pandehuri N.K., ka kryer veprën penale ‘Fajdeja’ sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, i pandehuri N.K., duke përdorur forcën e ka kanosur viktimën se do e vrasë nëse nuk ia sjellë paratë “kur M.B., vullnetarisht nuk ia sillte paratë, shkonte tek i dëmtuari duke e kanosur se do ta vret, e merrte atë për krahu, e fuste në automjetin e tij dhe e dërgonte në ndonjë nga bankomatet e njërës prej bankave, nga ku e detyronte të dëmtuarin të tërheqë para dhe t’ia dorëzojë atij, duke shkaktuar dëm në vlerë prej 83,500.00 euro”.

Gjithashtu, i pandehuri N.K., i ka dhuruar dy vetura të pandehurit I.F. person zyrtar.

Ndërkaq, i pandehuri I.F., në cilësinë e personit zyrtar – hetues i Njësisë rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prizren, ka pranuar dhuratë për vete dhe personin tjetër duke u ngarkuar me veprën “Marrje e ryshfetit”.

Ndërsa, i pandehuri K.G., në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar – polic në pikën nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij dhe me dashje e ka shkelur duke i mundësuar drejtuesit të automjetit “Peugeot” me targa gjermane, kalimin e kufirit, edhe pse për të njëjtin kishte qenë në dijeni se nuk posedon dokumentacion valid.

Të pandehurit A.K., dhe N.K., nga data 29.08.2020, e deri 09.12.2020 në Prizren, në bashkëveprim, në mënyrë mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kanë mashtruar të dëmtuarin M.B.

“Në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri N.K., merret vesh me të pandehurën A.K., që e njëjta të krijojë lidhje dashurie me të dëmtuarin M.B., dhe më pas e pandehura të kërkoj nga i njëjti t’i jep Autorizim të pandehurës A.K., që nga xhirollogaria e M.B., të transferojë mjete monetare si dhe të bëjë pagesa. E njëjta, ka transferuar dhe ka kryer pagesa në shumë totale prej 4,395.00 euro. Me këto veprime, në bashkëkryerje N.K. dhe A,K., kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi’”, thuhet tutje në njoftim.