Profesori pretendon se ka mësimdhënës pedofilë në Suharekë, deklarohet Policia, kryetari dhe drejtori i Arsimit.

                     Qytetari Astrit Sahitaj, i cili është mësimdhënës në Gjimnazin “Jeta e Re”, po pretendon se në komunën e Suharekës ka mësimdhënës pedofilë. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Sahitaj ka shkruar se mësimdhënësit pedofilë e krijuan edhe një “kabinet seksi” në një shkollë, të cilës nuk ia ka përmendur emrin. KALLXO ka kontaktuar Sahitajn, i cili kur është kontaktuar ka bërë të ditur se është në hetuesi.Kurse, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, ka njoftuar për KALLXO se deri më tani nuk ka ndonjë rast të iniciuar zyrtarisht. “Deri më tani nuk ka ndonjë rast të inicuar zyrtarisht. Sapo të marrim informacione shtesë do të ju informojmë” – ka thënë Bytyqi.

Raportimin e Sahitajt e ka parë edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj. Ai ka thënë për KALLXO se e ka angazhuar drejtorin e Arsimit në Suharekë për këtë rast. Ndërsa, drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, kur është kontaktuar ka thënë se momentalisht ndodhet në Gjimnazin e “Jeta e Re”, pasi Sahitaj aty është mësimdhënës i lëndës së historisë dhe ka shkuar të bisedojë me të.“Pozita mbron dhe privilegjonë mësimdhënësit pedofil! Mësimdhënësit pedofil krijuan edhe kabinet sexi në shkollën X. Këtë e din të gjithë kryetarët e partive të Suharekës. Turp! Të përdoret makina poligrafike (e së vërtetës) Opozita hesht! Turp! Heshtja është krim!” – ka shkruar Sahitaj në Facebook. Më tej, ai ka thënë po ashtu se është i gatshëm t’i denoncojë mësimdhënësit para institucioneve. Ai ka shtuar se institucionet përgjegjëse në nivel komunal kanë njohuri për rastin por heshtin. “Jam i gatshëm t’i denoncoj mësimdhënësit pedofil para institucioneve përgjegjëse e deri tek mediat. Edhe institucionet përgjegjese në nivel komunal kanë njohuri. Heshtin! Krim! Turp!” – ka deklaruar Sahitaj. Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka thënë se e ka parë raportimin e qytetarit, mirëpo nuk ka informata zyrtare nga drejtori i Arsimit apo i shkollës në lidhje me këtë rast.“Edhe unë siç e keni parë ju e kam pa, mirëpo informata zyrtare nuk kam as prej drejtorit të shkollës, po nuk kam as prej drejtorit të Arsimit, as zëvendësdrejtorit të shkollës” – është përgjigjur Muharremaj për KALLXO.