“Pse me shkarkuat padrejtësisht nga puna?”, kushërira e Ukshin Hotit e zë ngushtë Kryeministrin Kurti

                               Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë përvjetorit të 23-të të masakrës në Krushë të Madhe, kishte një moment aspak të këndshëm. Ai derisa vizitonte varrezat e martirëve të lirës në Krushë të Madhe, është përballuar me motrën e dëshmorit, kushërirën e Ukshin Hotit. Në një video të publikuar në Facebook, Bahrije Hoti e cila ka qenë shefe e konsullatës së Republikës së Kosovës në Bern, ka kërkuar nga shefi i ekzekutivit të dijë arsyet pse është shkarkuar si diplomate e Kosovës.“Më vjen mirë që keni ardhur sot. Por, si është e mundur që unë para një jave jam pushuar nga puna si diplomate e Kosovës, duke dalë nga ky gjak, sakrifica e këtyre dëshmorëve më ka dërguar të shkollohem në Austri dhe unë sot me padrejtësinë më të madhe, para një jave shkarkohem nga puna si diplomate”, dëgjohet duke i thënë ajo, Kurtit. Kurse, Kurti është përgjigjur shkurt duke i thënë se “nuk e di këtë gjë, duhet ta kuptosh”. Ajo sërish ka insistuar duke i treguar  Kurtit se ka pasur padrejtësi gjatë shkarkimit të diplomatëve. “E kuptoj, por padrejtësitë po vazhdojnë me të thënë të drejtën. Unë jam betuar para varrit, para gjakut të këtyre dëshmorëve”, thoshte ajo.Kurti është zotuar se do të interesohet për shkarkimin e saj nga vartësja e tij, shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla.“Do të interesohem për çka bëhet fjalë. Do ta shikojë për çka bëhet fjalë”, i përgjigjet Kurti.