QendraPress,merr opinionet e intelektualëve për qverisjen aktuale te Prizrenit- Mrs Afrim TEJECI- . Prizreni ka një histori të pasur të zejtarisë-

Prizreni ka potencial të jashtëzakonshëm ekonomik falë pozitës së tij gjeografike, traditës së zejtarisë, turizmit dhe biznesit privat. Vitet e fundit janë ndërmarrë disa iniciativa për promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe mbështetjen e sektorit privat, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë. Megjithatë, zhvillimi ekonomik nuk duhet të matet vetëm me investimet në infrastrukturë. Prioritet duhet të jetë funksionalizimi i zonave ekonomike dhe industriale, krijimi i kushteve më të mira për prodhuesit vendorë, zejtarët dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme. Këta sektorë janë shtylla kryesore e punësimit dhe e zhvillimit të qëndrueshëm. Komuna duhet të vazhdojë të mbështesë investitorët, të forcojë partneritetin me bizneset dhe odat , si dhe të investojë në arsimin profesional për të përgatitur fuqi punëtore sipas nevojave të tregut. Prizreni, si një nga qytetet më të vizituara nga turistët në Kosovë, duhet të krijojë një hapësirë të veçantë në qendrën historike, të dedikuar për artizanët dhe punimet tradicionale me dorë. Një treg i organizuar i artizanatit do t’u mundësonte zejtarëve të ekspozojnë dhe shesin produktet e tyre, ndërsa vizitorët do të kishin mundësinë të njihen me kulturën, traditën dhe mjeshtërinë e qytetit tonë. Ky investim do të kishte përfitime të shumta: Ruajtjen dhe promovimin e zejeve tradicionale. Mbështetjen e bizneseve të vogla dhe artizanëve. Krijimin e vendeve të reja të punës. Pasurimin e ofertës turistike të Prizrenit. Ruajtjen e identitetit kulturor dhe ekonomik të qytetit. Prizreni ka një histori të pasur të zejtarisë. Është koha që kjo trashëgimi të mbështetet me politika konkrete dhe me një hapësirë të denjë, ku artizanët të jenë pjesë e përditshme e jetës së qytetit dhe një atraksion i veçantë për mijëra turistë që e vizitojnë çdo vit. Nëse këto prioritete realizohen, Prizreni mund të shndërrohet në një nga qendrat më të fuqishme ekonomike në Kosovë, duke krijuar më shumë vende pune, duke ulur migrimin e të rinjve dhe duke rritur mirëqenien e qytetarëve. Zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet mbi çdo interes tjetër, sepse një ekonomi e fortë është garancia më e mirë për një komunë të zhvilluar dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Msc Afrim Tejeci Kryetar i Odës Ndërmarrësve Zejtarëve/QendraPress/