Rritje për 30 herë e rasteve me fruth në Evropë, IKSHPK: Fruthi mund të çojë në komplikime të rënda dhe vdekje, të vaksinohen fëmijët me kohë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar ditëve të fundit një paralajmërim për përhapjen e fruthit në Evropë.

IKSHPK njofton se numri i rasteve është rritur për 30 herë në muajt e fundit në rajonin evropian, që përbën një rritje shqetësuese, ndërkaq raste të fruthit janë regjistruar edhe në vendet e rajonit.

Instituti bën të ditur se në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara me fruth, por u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata me kohë.

“Në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara të fruthit, por Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës rithekson faktin se vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar fruthin dhe përhapjen e tij te njerëzit e tjerë, krahas masave të tjera të kujdesit.

Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus dhe mund të çojë në komplikime të rënda dhe vdekje”, bën të ditur IKSHPK.