Rrjeti i vjetër, banorët e “Kurillës” të Prizrenit pa ujë të pijes
Në Prizren, për shkak të rrjetit të vjetër të ujësjellësit në lagjen “Kurrilla”, banorët që i kanë shtëpitë në pjesën e sipërme, po përballen me mungesë të furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm. Përfaqësuesit e Hidroregjionit Jugor thonë se në disa rrugë ka nisur sanimi i problemit, por vitin e ardhshëm do të zbatohet projekti i ndërrimit të tubave.Prizreni njihet për pasuri të mjaftueshme hidrike, por jo të gjitha lagjet furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm.“Kurrilla” është lagjja më e vjetër e qytetit të Prizrenit. Për shumë dekada, në këtë lagje nuk është investuar në rrjetin e ujësjellësit. Pjesa e poshtme e saj relativisht furnizohet me ujë të pijshëm. Por, banorët e kësaj lagjeje që ndodhen pak më lart, po e ndiejnë mungesën e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm…“Në katin e dytë e kem ble një hidrofor dhe kur e lëshojmë ujin, vjen era, duhet me rregull. Po shkoj në ‘Marash’ po marr ujë me shishe, se s’ka ujë këtu”, deklaroi Orhan Abishko, banor i “Kurrillës”.Pjesërisht, në dy rrugë të kësaj lagjeje, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar një projekt për sanimin e problemit, megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme.Kryeshefi i Hidroregjionit Jugor, Zenel Zenelaj, thotë se në këtë lagje, vitin që vjen do të ndërrohet i gjithë rrjeti i ujësjellësit, pasi është shumë i vjetër.“Lagjja ;Kurilla’, mund të jenë disa pjesë të nalta të cilat kanë pak problem me presion për shkak të nivelit të furnizimit dhe mund që, herë pas here, të kenë çrregullime në furnizim. Dihet se Kurrilla është me një rrjet të vjetër të sistemit të ujësjellësit, i ndërtuar mbi 30 vite nga azbest-çimento. Dhe ne në bazë të analizave që kemi bërë në atë pjesë të qytetit duhet të ndërrohet sistemi, sepse kemi edhe humbje teknike dhe komerciale”, tha Zenelaj. Sipas Zenelajt, kualiteti i ujit të komunës së Prizrenit është i lartë, pasi analizat dhe kontrollet janë ditore dhe kryhen nga ekipet kompetente të profesionistëve.RTK