Shqiptarët janë shumë të lidhur me atdheun e tyre, atë do ta zhvillojnë-Shkruan;Bashkim HOXHA,analist politik.

QendraPress : Si e shihni vitin 2024 ?

Bashkim Hoxha: Në radhë të parë urime liberalizimin e vizave- juve, stafit dhe lexuesve tuaj. Është një moment i shënuar, moment i pritur prej vitesh, një moment ngazëllues për të gjithë ne pavarësisht ku gjendemi, jetojmë dhe punojmë. -Që t’iu kthehem pyetjes suaj, mendoj se viti 2024 do ta pasojë vitin paraprak në aspekt sërë sfidash si në rrafshin politik, ekonomik ashtu dhe atë social. Bisedimet me Serbinë, asociacioni i komunave me shumicë serbe, situata e sigurisë në veri; papunësia, pagat jo të mjaftueshme për të punësuarit qoftë në sektorin publik ashtu edhe atë privat; kërkesat në rritje si dhe ndihmat tepër të ulëta të kategorive në nevojë – pensionet e pleqërisë, kategoritë që mbi supet e tyre kanë pasur barrën kryesore të çlirimit të Kosovës / UÇK’së, dhe një varg problematikash të natyrave sociale. Kur përmenda këto gjëra nuk është se e pata ndërmend të bëj alarmuesin e llahtarshëm apo përhapësin e psikozës së amullt, në asnjë mënyrë jo! Janë gjëra, janë çështje, janë shqetësime të çdoditshme që qytetari i prekë e me të cilat jeton tash e sa kohë.

QendraPress: A mendoni se rinia do të ja mësyjnë Evropës dhe çfarë reflektimi mund të ketë Kosova ?

Bashkim Hoxha: Dëshira për ta parë botën është në natyrën e rinisë dhe jo vetëm në Kosovë. Për ta ilustruar këtë që sapo e thashë, një grup studentësh të përkatësive dhe shteteve të ndryshme që studiojnë në Gjermani, nga kureshtja për ta njohur më shumë Kosovën dhe Shqipërinë para dy ditësh kanë ardhur në Kosovë. Kam përshtypjen, rinia e Kosovës nga dëshira për ta njohur sa më shumë botën do të jenë frekuentues të shpeshtë të punkteve biletashitëse. Liberalizimin e vizave e kemi merituar duke plotësuar standarde shumëherë më shumë dhe më mirë se vendet e rajonit. Mirëpo heqja e vizave nuk nënkupton të drejtën për të jetuar dhe punuar në vendet e Shengenit. Në lidhje me liberalizimin e vizave është folur dhe shkruar aq shumë e me pompozitet të zhurmshëm më tepër për çështje poenash politik, tërheqjes së lexueshmërisë, klikimeve etj, saqë është fituar percepsion i gabuar se me liberalizim do ta përfitojmë “shkopin magjik” e do t’i flakim të gjitha hallet e jetës. Sidoqoftë, rinia jonë ka nevojë të dalë, të shohë, të mësojë e pse jo edhe të shijojë. Faza e “vërshimeve” për të dalë jashtë Kosove nuk do të zgjas shumë, e gjitha do t’i kthehet normalitetit, të paktën ashtu e shoh unë. Sigurisht kontaktet me botën perëndimore do ta bëjnë më të lehtë sigurimin e një garancioni (statusi) me të drejtë pune, jetese, tërheqjes së familjes, integrimit dhe shkollimit të fëmijëve. Mirëpo nuk mund ta kenë të gjithë të njëjtin fat, në perëndim më tepër vijnë në shprehje punonjës të kualifikuar dhe në disa profesione caktuara. Entuziazmi do të fillojë të bie. Të gjithë ne do ta kuptojmë se Kosova është e ardhmja e fëmijëve tanë, atyre duhet t’ia krijojmë premisat e jetës duke përveshur mëngët dhe duke e zhvilluar Kosovën. Edhe nëse do të ketë largime të rinjve nga vendi, shumica do të punojnë, do të krijojnë, do të kursejnë, fëmijët do t’i shkollojnë … dhe më në fund në Kosovë do të investojnë. Shumica e mërgimtarëve që kemi në diasporë e bëjnë të njëjtën gjë, gati të gjithë prej tyre paratë e kursyera i investojnë në Kosovë. Personalisht nuk bie në pesimizëm, shqiptarët janë shumë të lidhur me atdheun e tyre, atë do ta zhvillojnë. Na qoftë një vit i mbarë./www.QendraPress.com/