Simbolika në vëllimin poetik ”Valët poetike të poezisë” të autores Tamikio L. Dooley * ”VALËT POETIKE TË POEZISË/ Shkruan:Kujtim R.HAJDARI.

Hyrje Nga Kujtim R. Hajdari * Simbolika në vëllimin poetik ”Valët poetike të poezisë” të autores Tamikio L. Dooley * ”VALËT POETIKE TË POEZISË” me autoren e nderuar amerikane TAMIKIO L. DOOLEY, është vëllimi poetik që përktheva nga anglishtja në shqip dhe u e përgatita për shtyp. Vëllimi është i veçantë në formë dhe përmbajtje dhe për mesazhet e bukura dhe njerëzore që përçjell nëpërmjet një simbolike sa tërheqëse aq shumë edhe shprehëse. Vëllimi u botua vitin e kaluar në Amazon, dhe së afërmi pritet të dalë nga shtypi në shqip, në Tiranë, nga shtëpia botuese ”Printal”. * (Tamikio L. Dooley është një autore dhe fituese e shumë çmimeve. Ajo është autore e 170 titujve dhe 125 librave të botuar. Autorja shkruan letërsi artistike dhe joartistike në zhanret e krimit, trilerit, misterit, fantazisë, historikut, western-it, romancës, apokalipsit zombie dhe paranormales. Në kohën e saj të lirë, ajo shkruan tregime të shkurtra, poezi, artikuj, ese, libra për shëndetin dhe libra për fëmijë, ditarë, revista, libra frymëzues, si dhe libra për kulturën, afro-amerikanët dhe historinë. Ajo është gjithashtu blogere. Fushat e saj të kërkimit dhe studimit janë mentorimi arsimor, shëndeti dhe historia.) * Vëllimi Valët poetike të poezisë paraqet një botë poetike të ngritur mbi marrëdhënien intime midis njeriut dhe natyrës. Këtu natyra nuk është thjesht hapësirë përshkruese, por një sistem i tërë shenjash që bartin kuptime emocionale, morale dhe shpirtërore. Autorja ndërton një poezi të qetë në ton, por të pasur në domethënie, ku deti, fari, uji, shiu, lumi, baticat dhe drita e hënës funksionojnë si simbole të jetës së brendshme, të kërkimit, të pastrimit dhe të shpresës. Vlerat e këtij vëllimi qëndrojnë pikërisht në aftësinë për të shndërruar përvojën e zakonshme në reflektim poetik. Një nga simbolet më të rëndësishme është deti, i cili shfaqet si forcë e madhe dhe si strehë e shpirtit njëkohësisht. Në poezinë “Valët pranë farit buzë detit”, lexojmë se valët “lënë pas vezullime kujtimesh si dëborë, shifon, margaritarë, pudër dhe porcelan”. Kjo vargëzim figurash e kthen detin në një hapësirë të kujtesës së brishtë, ku çdo përplasje e valës lë një shenjë delikate, por të pashlyeshme. Deti nuk është vetëm element natyror; ai është kujtesa vetë, me gjithë dritën, lëvizjen dhe paqëndrueshmërinë e saj. Më tej, kur thuhet se burri qëndron “i braktisur, duke dëshiruar përqafimin e detit”, deti fiton një kuptim emocional: ai bëhet figurë e pranimit, e ngushëllimit dhe e nevojës njerëzore për të gjetur një vend ku dhimbja të qetësohet. Kështu, simboli i detit shpreh vetminë moderne, por edhe shpresën për pajtim me botën. Po aq qendror është fari, i cili përfaqëson dritën orientuese, por edhe kufirin e fatit njerëzor. Në poezinë “Fari”, gruaja i afrohet atij përmes një peizazhi të ashpër me shkëmbinj dhe valë, por në fund kupton se “fati i saj qëndronte diku tjetër”. Ky varg e zhvesh farin nga funksioni i thjeshtë praktik dhe e shndërron atë në simbol të zgjedhjes dhe të destinacionit. Fari është dritë, por jo gjithmonë strehë; ai e udhëheq njeriun, por nuk vendos për të. Në këtë kuptim, poetesha na kujton se orientimi i jashtëm nuk mjafton pa një përkim të brendshëm. Edhe në “Djali i vogël dhe fari”, fari bëhet vend i imagjinatës fëminore dhe i trashëgimisë së tregimeve atërore. Kur djali ”Ikën fshehurazi prej shtratit te tij për tek fari”, ai nuk kërkon vetëm një vend fizik, por një përjetim të ëndrrës së trashëguar. Fari këtu simbolizon kalimin nga rrëfimi në përvojë, nga e dëgjuara në të jetuarën. Një tjetër simbol i fuqishëm është uji, i cili merr trajta të ndryshme: pastrim, pagëzim, kalim dhe zbulim shpirtëror. Në poezinë “Pagëzimi, Më Shumë se Një Pikë Uji”, poetesha shkruan: “uji pastron fytyrat e tyre nga mëkati dhe turpi”. Këtu uji ka një dimension qartësisht ritual dhe moral. Ai nuk pastron vetëm trupin, por ndërgjegjen; nuk freskon vetëm lëkurën, por shlyen gjurmët e një jete të mëparshme. Zhytja në ujë bëhet metaforë e një rilindjeje etike. Po kështu, te “Gruaja në ujë”, uji shërben si hapësirë e misterit dhe e transfigurimit. Gruaja “ndjeu ujin e akullt kundër këmbëve të saj të zhveshura”, dhe në këtë ndjesi fizike fshihet edhe përplasja e saj me të panjohurën. Uji është prag: ai e ndan të zakonshmen nga e jashtëzakonshmja. Në “Përtej detit”, uji dhe drita e hënës bashkëpunojnë në një lëvizje drejt transcendencës: “drita e hënës udhëheq ritmet e shpirtrave”. Këtu simbolika e ujit kalon nga pastrimi moral në një lloj thirrjeje metafizike. Batica dhe vala shfaqen si simbole të lëvizjes së brendshme, të dëshirës për liri dhe të tensionit midis qëndrueshmërisë dhe ndryshimit. Në poezinë “Baticat e Oqeanit”, lexohet: “Baticat dëshirojnë të largohen nga oqeani”. Ky varg i jep natyrës një gjendje pothuajse njerëzore: dëshirë, lodhje, mospërputhje. Baticat kërkojnë të “shpëtojnë”, çka mund të lexohet si metaforë e qenies njerëzore që kërkon çlirim nga ciklet e përsëritura të vuajtjes apo kufizimit. Kur poezia thotë se “Valët mbajnë kohën”, ajo sugjeron se natyra është një orë e madhe, ritmike, që shënon kalimin e jetës. Në këtë mënyrë, batica dhe vala bëhen figura të ekzistencës në lëvizje, të dëshirës për ndryshim dhe të pritjes së një çasti çlirues. Një vend të veçantë zë edhe drita e hënës, e cila në disa poezi lidhet me udhërrëfimin shpirtëror. Tek “Përtej detit”, ajo “shkëlqen më fort për shkak të dëshirave të shpirtrave”. Ky personifikim e lartëson dritën e hënës në një forcë që pothuajse i përgjigjët thirrjes njerëzore. Ajo nuk ndriçon thjesht peizazhin, por dëgjon nevojën e shpirtit. Simboli i hënës, i lidhur tradicionalisht me intuitën dhe me botën e fshehtë, këtu bëhet dritë e brendshme, një shenjë e kërkimit për pastërti dhe për tejkalim. Një tjetër figurë e rëndësishme simbolike është shiu, veçanërisht në poezinë “Pikat e shiut mbi pishat”, ku lexojmë se ato “pasqyrojnë urtësi, pastërti dhe dashuri”. Shiu, i cili zakonisht lidhet me trishtimin, këtu fiton një funksion ndriçues dhe edukativ. Ai i lejon subjektit lirik të shohë “fytyrën e babait tim” në pikat e shiut, duke e shndërruar natyrën në një pasqyrë të kujtesës familjare. Kështu, shiu bëhet urë mes brezave, mes përvojës së fëmijërisë dhe dijes së trashëguar. Poetesha e përdor këtë simbol për të lidhur natyrën me dashurinë atërore dhe me formimin shpirtëror të individit. Në fund, duhet përmendur edhe çaji, kafeja, gota e ujit dhe elemente të tjera të jetës së përditshme, të cilat në këtë vëllim nuk mbeten objekte të zakonshme. Në “Jepi një Gotë Ujë”, gota e ujit shndërrohet në gjest human dhe etik; në “Kafe pranë Lumit” dhe “Kafe në një Ditë me Shi”, kafeja bëhet shenjë e kujtesës, e intimitetit dhe e ritit të përditshëm që e lidh njeriun me kohën. Këto detaje e pasurojnë vëllimin me një poetikë të së zakonshmes, duke treguar se madhështia mund të zbulohet edhe në gjërat më të thjeshta. Në përfundim, ”Valët poetike të poezisë” është një vëllim që ndërton një poetikë të ndjeshme dhe të shumëfishtë, ku çdo simbol hap një horizont kuptimor. Deti flet për kujtesën dhe braktisjen; fari për orientimin dhe fatin; uji për pastrimin dhe rilindjen; batica për lirinë dhe lëvizjen; hëna për udhërrëfimin shpirtëror; shiu për urtësinë dhe trashëgiminë emocionale. Autorja arrin t’i japë natyrës një dimension të thellë etik dhe metafizik, duke e shndërruar këtë vëllim në një meditim poetik mbi njeriun, botën dhe kërkimin e vazhdueshëm për dritë. Urime poetes. (Nga Kujtim R. Hajdari)/QendraPress/