Talat XHAFERI -Sot ky njeri është kryeministër i Maqedonisë.;Shkruan Genc Prelvukaj

                Në retrospektivë, vështirë të ketë pasur komunitet më të shtypur, më të vuajtur e përjashtuar, se sa shqiptarët e Maqedonisë. Brutaliteti shtetëror arrinte deri aty, sa që nëpër zona të caktuara administratorët sllavë diktonin edhe emrat e fëmijëve të lindur. Punëtoritë dhe zanatet e shqiptarëve shkruheshin në alfabet cirilik, derisa përdorimi i simboleve kombëtare qe veprim i dënueshëm.

Në sistemin politik shqiptaret ishin inekzistentë, derisa në sektorët tjerë kishte deficit të frikshëm, duke filluar nga sfera juridike deri tek medicina. Në qendra të përziera ishin të detyruar të komunikonin me kujdes të shtuar, ndërsa shkollimi universitar nuk mund të ndiqej në shqip deri në prag të shekullit aktual.

Në këtë kontekst, kur shqiptarët pothuajse ishin rrënuar shpirtërisht, atëherë një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Ahmeti, një patriot dhe burrë i urtë nga Kërçova, rrëmbeu edhe njëherë armët, për ta ndryshuar njëherë e mirë shoqërinë e Maqedonisë.

Një prej ushtarakëve të parë shqiptarë që iu bashkua qe Talat Xhaferi, i cili dezertoi nga pozita e oficerit të ushtrisë maqedone, për të vënë një emblemë të re në krah: atë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe për të çuar në vend të drejtën historike të shqiptareve të tij.

Sot ky njeri është kryeministër i Maqedonisë.

Dhe ky më së paku është triumf i tij, sepse është triumf i gjithë shqiptarëve, pa përjashtim.