Detaje ekskluzive për tentim vrasjen me thikë në Prizren: Viktima ka pësuar plagë në stomak dhe këmbë

Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prizren, ku një konflikt i cili rrjedhi pas një aksidenti trafiku është përshkallëzuar në tentim vrasje me thikë, njofton togeri i policisë në Prizren Shaqir Bytyçi. Burimet tjera bëjnë me dije se i dyshuari kryesor në lidhje me këtë rast është personi S,K (rreth 40-vjeçar), i cili dyshohet se ka sulmuar me thikë personin me inicialet N.B (rreth 56-vjeçar).
Rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje që pasoi një aksident me dëme materiale në rrugën “Xhevat Berisha”, pas një përplasjeje verbale, i dyshuari ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur viktimën në trup, duke i shkaktuar plagë serioze.
Viktima është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Prizrenit, e më pas për shkak të gjendjes është transferuar në QKUK për trajtim të specializuar.
Gjendja e tij raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetë.
I dyshuari në lidhje me këtë rast është arrestuar nga Policia në vendin e ngjarjes dhe është dërguar në stacionin policor. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë.” Me rastin po merret Hetuesia Rajonale e Prizrenit, ndërkohë që hetimet janë duke vazhduar.