Abdixhiku: Qeveria mori rrugën e gabuar nga e cila nuk ka kthim prapa 
Gjatë një diskutimi me qytetarë dhe struktura të LDK’së në Prizren, kryetari Lumir Abdixhiku, kritikoi Qeverinë për performancën e dobët dhe menaxhimin e dështuar të krizës, si dhe foli edhe për ngjarjet e fundit me pagat e mësimdhënësve.“Sot është dita ndërkombëtare e mësuesve. Në vend të festës dhe mbështetjes, reformave të reja arsimore apo mirënjohjes, ata morën poshtërim (u dënuan). Qeveria nisi një konflikt të drejtpërdrejtë ndaj mësuesve me mos ekzekutimin e pagave. Ky është një akt i paprecedentë hakmarrjeje, i heshtjes së revoltës, i ushtrimit të presionit të pastër. Mosekzekutimi i pagave është një vendim politik dhe përçarës i shoqërisë tonë. Qeveria mori rrugën e gabuar nga e cila nuk ka kthim prapa. Ata që tentojnë të përçajnë qytetarët do të përfundojnë gjithnjë e më të dobët, derisa të dështojnë plotësisht”, deklaroi Abdixhiku.Më tej, ai ka thënë se Kosova duhet të mbetet e bashkuar dhe si lider i LDK-së nuk do të lejojë përçarje në shoqëri. Abdixhiku iu referua takimeve me qytetarët që ka në këtë cikël të ri debatues e diskutues dhe tha se nga të gjitha takimet qytetarët po e konsiderojnë Qeverinë të paaftë dhe të papërgjegjshme. “Kam takuar shumë njerëz gjatë javës së kaluar në kuadër të fushatës tonë “LDK ju dëgjon”. Kam dëgjuar shumë histori personale, kam dëgjuar shumë probleme të njerëzve të thjeshtë, bizneseve, të rinjve, e punëtorëve. Kam takuar mbështetës të të gjitha partive dhe të gjithë kanë të njëjtat qëndrime – se Qeveria është zhgënjim dhe krejtësisht e paaftë. Ata nuk mund të shohin ndonjë ndryshim për mirë dhe në fakt qytetarët besojnë se kjo i ka përkeqësuar gjërat në Kosovë”, tha Abdixhiku.Ai tha se qeverisja e mirë ka të bëjë me kujdesin dhe lidershipin e vërtetë dhe se Qeveria dëshmoi të kundërtën.“Qeverisja e mirë ka të bëjë me kujdesin, ka të bëjë me përgjegjësinë, ka të bëjë me udhëheqjen në kohë krize. Bëhet fjalë për dialog dhe për punë të palodhur për njerëzit. Asgjë që e përshkruan këtë Qeveri”, përfundoi Abdixhiku.