Çka ka ndodhë me Albin Kurtin e dikurshëm, që zdërhallej mitingjeve e shkërryhej shesheve.- Shkruan;Prof  Dr. Milazim KRASNIQI

Çka ka ndodhë me Albin Kurtin e dikurshëm, që zdërhallej mitingjeve e shkërryhej shesheve sulmonte e digjte institucionet, sulmonte zyrtarët qeveritarë, shpallte tradhtarë secilin që kishte ndonjë kontakt me serbët në Procesin e Vjenës e në Procesin e Brukselit? Cinikët mund të bëjnë pyetjen retorike: “Albin, a je ti?”, për ta portretuar një person të shfytyruar politikisht, deri në masën sa më nuk njihet në është ai apo nuk është. Ndërsa simpatizantët e tij thjesht nuk arrijnë ta kuptojnë që Kosova ka problem shumë më të madh se sa “guximin” e liderit. Pra, nuk është problem guximi i liderëve, problem themelor është dobësia e Kosovës. Pse? Sepse përveç konfliktit me Serbinë, Kosova që nga fillimi i krizës së ish Jugosllavisë në vitet nëntëdhjetë e deri sot ka problem me faktorët ndërkombëtar. Faktet janë kokëfprta: fillimisht Kosova u injorua nga komisioni i Badenterit. Mandej u mor në dorë ad hoc nga Grupi i Kontaktit, që organizoi Konferencën e Rambujesë. Pastaj, pas bombardimeve të NATO-s, kaloi në kompetencë të OKB-së. Më vonë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, një segment të problemit të Kosovës (dialogun me Serbinë) e kaloi edhe në duart e Bashkimit Evropian. Natyrisht, këto gjëra i ka ditur mirë Albin Kurti, në çdo fazë e në çdo detaj. Por duke luajtur rolin e një Robin Hudi, ndër vite ka sulmuar, dobësuar e kompromentuar institucionet e brishta të Kosovës, pra e ka sulmuar palën e dobët. Me ato taktika zjarrvënëse e ka fituar pushtetin. Por tash është edhe vetë viktimë e pozitës që i është rezervuar Kosovës nga faktorët ndërkombëtar, si shtet i konceptuar prej tyre për të dështuar./www.QendraPress.com/