Deklaratë nga Grupi Grave në Kuvendin Komunal të Prizrenit lidhur me rastet e dhunës ndaj grave në Universitetin “Ukshin Hoti”

Grupi I Grave kuvendare shpreh indinjatën dhe shqetësimin më të thellë lidhur me ngjarjet e rënda të ndodhura brenda ambientit të Universitetit “Ukshin Hoti”, ku janë raportuar akte të përsëritura kërcënimi dhe dhune fizike e psikologjike ndaj grave në pozita akademike dhe drejtuese.
Sot, më 3 qershor 2025, gjatë mbledhjes zyrtare të Këshillit të Fakultetit të Filologjisë, asistentja Rrezarta Ramadani është goditur në kokë nga një profesor i këtij fakulteti, akt i paprecedent dhe i papranueshëm në një institucion të arsimit të lartë. Sipas informacioneve të bëra publike, kjo dhunë fizike është ushtruar nga prof. Shkëlqim Millaku, i cili edhe më parë kishte kërcënuar verbalisht asistenten me fjalët: “Tash do ta shohësh kush është Shkëlqim Millaku.”
Ky akt është vazhdimësi e një sjelljeje të dhunshme dhe frikësuese që ky individ ka manifestuar edhe ndaj ushtrueses së detyrës së Dekanes së Fakultetit të Filologjisë, znj. Vjollca Dibra, e cila më herët ka raportuar se është kërcënuar në zyrën e saj me fjalët: “Mbylle gojën, se do të gjuaj nga dritarja.”
Konsiderojm këtë situatë jashtëzakonisht alarmante dhe u bën thirrje:
Universitetit “Ukshin Hoti” që të veprojë me vendosmëri dhe urgjencë për të garantuar sigurinë e stafit të tij akademik, duke pezulluar menjëherë çdo individ që ushtron dhunë.
Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës që të ndërmarrin veprime të shpejta për hetimin dhe ndëshkimin e autorit të dhunës.
Institucioneve për të drejtat e grave dhe shoqërisë civile, që të mbështesin viktimat e këtyre akteve dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e dinjitetit të tyre.
Dhuna ndaj grave në institucionet akademike nuk është vetëm çështje e individëve, por alarm shoqëror dhe institucional. Ne përfaqësueset e KK qëndrojm fuqishëm në mbështetje të çdo gruaje që guxon të flasë, të denoncojë dhe të kërkojë drejtësi.
Në emër të qytetarëve të , Komunes se Prizrenit shprehim solidaritet të plotë me znj. Vjollca Dibra dhe znj. Rrezarta Ramadani dhe zotohemi se do ta ndjekim nga afër këtë rast derisa të merren masa konkrete dhe të vendoset drejtësia.
Drejtësia për gratë nuk është privilegj – është detyrim institucional.
Grupi I Grave Asambleiste
Prizren, më 3 qershor 2025