Instituti i Krimeve të Luftës vazhdon grumbullimin e materialeve
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, njofton se zhvilloi takime të rëndësishme në vazhdën e përpjekjeve për të dokumentuar historinë e luftës dhe për të mbledhur materiale që dëshmojnë të vërtetën.
“Në Ferizaj, Dr. Xheladin Reçica dorëzoi materiale të rëndësishme, të cilat dokumentojnë torturat dhe vuajtjet e shqiptarëve para dhe gjatë luftës. Me përkushtimin e tij, Dr. Xhela ka trajtuar këta pacientë në momentet më të vështira, duke u bërë një dëshmi e fuqishme e rezistencës së tyre. Në Klinë, përgjegjësi i Zyrës për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Viktimave Civile, dorëzoi listat e këtyre kategorive. Në Pejë, znj. Havë Shabanaj, dhuroi dy libra të saj për arkivin tonë, duke kontribuar në pasurimin e burimeve që dokumentojnë këtë periudhë të rëndësishme historike”, njofton Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Sipas institutit, çdo kontribut i tillë është i çmuar për punën dhe për përpjekjet tona për të ruajtur të vërtetën historike.