Ish-shefi i UNMIK-ut: Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale

                   Krimet serbe në Kosovë kanë ndodhur dhe ballafaqimi i Serbisë me të kaluarën e saj është në radhë të parë në interesin e vetë Serbisë. Kështu diplomati Michael Steiner, ish shef i UNMIK-ut dhe ish këshilltar i kancelarit gjerman Gerhard Schröder.“Objektivisht kjo çështje është sqaruar. Krimet serbe në Kosovë kanë ndodhur dhe për këtë organizatat ndërkombëtare kanë dhënë qëndrimin e tyre. Që Serbia të ballafaqohet dhe ta shohë këtë të vërtetë me sytë e saj dhe të marrë qëndrim për këtë realitet që ka ndodhur, është në radhë të parë në interesin e vetë Serbisë. Po e them këtë si gjerman, duke u nisur nga historia jonë gjermane. Je vërtet i lirë të ndërtosh dhe formësosh të plotë të ardhmen tënde, vetëm atëherë kur gjen forcë për të njohur anën negative të së kaluarës tënde. Për sa kohë që nuk e bën këtë, atëherë do të sorollatësh si një zombi në historinë tënde dhe kjo mund të shihet tek ata, që gjërat e pakëndshme përpiqen t’i fshehin nën tepih. Sido që të jetë, e rëndësishme është që objektivisht gjërat janë të qarta, janë sqaruar dhe është thellësisht e domosdoshme që Serbia të konfrontohet me të kaluarën e saj kriminale, për të çliruar vetveten, në mënyrë që të mund të punojë me gjithë forcën drejt së ardhmes”, thotë ai.Steiner ka folur edhe për marrëveshjen e fundit dhe çështjen e Asociacionit, të cilin Serbia po e kërkon me ngulm.Ai thotë se nga forma si është bërë në Propozimin evropian, nuk  sheh asnjë rrezik për Kosovën nga Asociacioni.“Për këtë temë nuk dua të deklarohem në hollësi, por ajo që mund të them është se nisur nga forma si është bërë në Propozimin evropian, nuk shoh as një rrezik për Kosovën nga Asociacioni”, ka thënë ai për RTK.Ai shton  Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian, dhe se perspektiva e saj e qartë evropiane tashmë është siguruar.“Nuk kam as një dyshim, sepse tashmë rruga për integrime euro-atlantike është e trasuar. Kosova është një vend evropian dhe i përket familjes evropiane ku e ka vendin dhe duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. E di që kjo rrugë ka zgjatur shumë dhe është e gjatë, aq sa nganjëherë më iriton edhe mua pse funksion disi ngadalë. Sidoqoftë, perspektiva evropiane e Kosovës është qartë e siguruar. Nuk e di se kur kjo ditë do të vijë, por e di që kjo ditë do të vijë”, thotë ai.