Komandanti i KFOR-it në Mal të Zi për takim me ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e forcave malazeze

                     Komandanti i KFOR’it, Özkan Ulutaş, dje ka qëndruar në Mal të Zi për takim me ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Dragan Krapoviq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Malit të Zi, Miodrag Vuksanoviq, në Ministrinë e Mbrojtjes, në Podgoricë.

KFOR në njoftim tha se ata “ndanë pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbi kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it në stabilitetin rajonal”.

“Gjeneral Major Ulutaş shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e palëkundur të Malit të Zi ndaj misionit të KFOR-it dhe përshëndeti profesionalizmin e personelit malazez të vendosur me KFOR-in”.

KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.