Kryeministri Kurti priti në takim ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali.

             Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali.

Në takim, përveç tjerash, u theksua rëndësia e projekteve strategjike infrastrukturore, në veçanti hekurudha Gjakovë–Shkodër, e cila do të jetë prioritet i këtij mandati, me synimin që punimet për ndërtimin e saj të fillojnë sa më parë. Ky projekt u vlerësua si investim me rëndësi të madhe ekonomike dhe rajonale, që do të forcojë lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të rrisë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, si dhe do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të të dy vendeve.

Po ashtu, u theksua nevoja për vazhdimin e mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare (G2G), me synimin që një e tillë të organizohet gjatë vitit 2026. U diskutua gjithashtu për koordinimin e politikës së jashtme dhe mbështetjen e ndërsjellë në organizata dhe forume ndërkombëtare, si dhe për forcimin e bashkëpunimit lidhur me diasporën shqiptare, veçanërisht në promovimin e gjuhës dhe kulturës tek gjeneratat e reja. Të dy palët u dakorduan se diaspora mbetet një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të të dy shteteve dhe kërkon angazhim të përbashkët e strategji të koordinuar.