Kryeprokurori i Prizrenit pret në takim përfaqësuesit e Odës Regjionale të Avokatëve të Prizrenit.

Prizren, 25 Shkurt 2026 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, së bashku me Zëvendëskryeprokurorin Labinot Jetishi, kanë zhvilluar sot një takim pune me Kryetarin e Odës Regjionale të Avokatëve – dega në Prizren, Blerim Mazreku, të shoqëruar me përfaqësues të kësaj ode.
Gjatë këtij takimi u diskutuan çështje të rëndësishme që ndërlidhen me funksionimin e sistemit të drejtësisë, sfidat në punën e përditshme të prokurorëve dhe avokatëve, si dhe nevoja për koordinim dhe komunikim të vazhdueshëm ndërinstitucional.
Palët shkëmbyen mendime lidhur me identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve të hasura në praktikën e përditshme profesionale, me theks të veçantë në rritjen e efikasitetit dhe avancimin e bashkëpunimit profesional.
Kryeprokurori Kryeziu, theksoi se bashkëpunimi korrekt dhe profesional ndërmjet Prokurorisë dhe avokatëve është thelbësor për garantimin e një procesi të rregullt ligjor, rritjen e efikasitetit dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Odës Regjionale të Avokatëve të Prizrenit shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dhe për adresimin e përbashkët të sfidave me qëllim të përmirësimit të funksionimit të sistemit të drejtësisë.
Palët u dakorduan që komunikimi dhe takimet të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në funksion të forcimit të partneritetit institucional dhe profesional./QendraPress/