Kurti bëri në Tërnje të Therandës.

Në përvjetorin e 26-të të masakrës në Tërnje të Therandës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule të freskëta pranë varreve të të rënëve, të cilët u vranë mizorisht nga forcat e armatosura serbe.

“Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës”, u shpreh kështu kryeministri Kurti gjatë homazheve, teksa potencoi se neve na ka ngelur një pjesë më e vogël e punës, por e rëndësishme që ta forcojmë shtetin tonë, ta forcojmë shtëpinë e popullit, ashtu që brezave të ardhshëm kurrë të mos iu bie që të vuajnë, të kenë dhembje apo humbje çfarë kaluam ne.

Kryeministri theksoi se 26 vjet më parë në pranverën e vitit ’99-të, u vranë martirët e dëshmorët e kombit, që na e kujton se sa i madh ishte çmimi i lirisë.

Ai shprehu respekt të veçantë për nënat shqiptare, të cilat i rritën bijat edhe bijtë e tyre për të qenë qytetarë të dinjitetshëm të Republikës, duke shtuar se përkulemi me nderim dhe mirënjohje të thellë, e falënderim të përzemërt për të gjithë ata, të cilët kontribuan për lirinë e popullit tonë dhe vendit tonë.

Në këto homazhe, krahas kryeministrit Kurti, ishin edhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Artan Abrashi, Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj, si dhe familjarë të dëshmorëve e martirëve të kombit, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Artan Abrashi, Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj,

Të nderuar kolegë,

Të dashur familjarë të dëshmorëve e martirëve të kombit, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Erdhëm sot në Tërnje që të bëjmë nderime për martirët e këtij fshati që u vranë gjatë pranverës së vitit 1999. Këta martirë, martirët e kombit, dëshmorët e kombit na e kujtojnë se sa i madh ishte çmimi i lirisë, të cilën filluam ta gëzojmë që nga qershori i vitit 1999, kur u çlirua Kosova.

Ne përkulemi me nderim dhe gjithashtu me mirënjohje të thellë, e me falënderim të përzemërt për të gjithë ata të cilët kontribuan për lirinë e popullit tonë, për çlirimin e Kosovës.

Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës dhe neve na ka ngelur një pjesë më e vogël e punës, por e rëndësishme që ta forcojmë shtetin tonë, ta forcojmë shtëpinë e popullit ashtu që brezave të ardhshëm kurrë të mos iu bie që të vuajnë, të kenë dhembje, apo humbje çfarë kaluam ne.

Në veçanti, respekt i posaçëm për nënat shqiptare të cilat i rritën bijat edhe bijtë e tyre edhe për të qenë qytetarë të dinjitetshëm të Republikës, por edhe për të qenë luftëtare e luftëtarë të mëdhenj për lirinë.

Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit! Lavdi të gjithë të vrarëve të atyre që dhanë jetën e u flijuan për lirinë e popullit mbarë nga fshati juaj, Tërnje.